Përmes këtij vendimi, gjyqtari Gerdi Hoxha i dha fund gjykimit të padisë për “shpifje” të deputetit socialist, Taulant Balla, kundër kryeopozitarit, Lulzim Basha. Në 21 Janarin e vitit 2019 Gjykata vlerësoi se kreu i PD, Basha, kishte shpifur botërisht në sallën e Parlamentit në 21 qershor 2018 kur lidhi emrin e deputetit Balla me “Toyotat Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro në Portin e Durrësit. Për këtë shkak ai detyrohet të paguajë një gjobë prej 50 mijë lekësh.
Sipas gjykatës, Lulëzim Basha nuk pranoi të tregojë burimin e informacionit, ç’ka u çmua nga gjyqtari Hoxha si heqje dorë nga e drejta për të provuar para gjykatës se informacioni i përcjellë në deklaratat e tij ishte i saktë dhe i besueshëm.
Gjykata arsyetonte se me deklaratat e bëra në Kuvend dhe më pas ku lidhte emrin e Ballës me “Toyotat” “i akuzuari Lulzim Basha ka dashur me qëllim, t’i përccojë publikut mesazhin se viktima akuzuese z. Taulant Balla, njëherazi deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe eksponent i lartë i Partsisë Socialiste të Shqipërisë, është një bashkëpunëtor i krimit të organizuar, pasi bashkëpunon me persona të përfshirë në krime të tilla si trafik lëndësh narkotike, pastrim parash, del garant për këta persona etj”.
Duke iu referuar disa vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si edhe dy vendimeve të Gjykatës së Lartë në vend, gjyqtari Gerd Hoxha arsyetoi se në deklaratat e tij Lulëzim Basha nuk ka pasur qëllim informues, por si qëllim denigrimin dhe njollosjen e reputacionit të kreut të grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Balla.
Jashtë sallës së gjyqit, Balla e konsideroi vendimin si historik dhe nuk harroi të kujtojë përkimin e datës së shpalljes.
Taulant Balla: “Ndoshta rastësia ka bërë që Lulzim Basha të dënohet me vendim penal në 12 Janar 2019. Por le të jetë ky një ogur i mirë për ndëshkimin përfundimtar edhe përsa i përket qoftë ndaj tij qoftë ndaj Sali Berishës. Do i kërkoja Lulzim Bashës dhe PD-së që të heqin dorë nga kjo politikë bajate e bazuar tërësisht në shpifje”.
Avokatët e Bashës komentuan si të padrejtë vendimin dhe paralajmëruan kundështimin e tij në Apel.
“Nën presionin e procesit të vetingut gjykata ka dhënë një vendim që bën të qeshë çdo njeri që lexon vendimin. Mjafton që policia e Taulant Ballës të thotë se Taulant Balla nuk ka përgjegjësi në milionat e eurove të drogës të kapura në Portin e Durrësit dhe nuk ka rëndësi se çfarë hetimi po bën Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ne nuk jemi dakord me vendimin e Gjykatës, vendimin do ta ankimojmë”.
Referuar vendimit, gjykata i jep 6 muaj kohë kryeopozitarit të shlyejë gjobën, pasi vendimi të marrë formë të prerë./abcnews.al