Gjykata e Shkodrës liron 2 inspektorët e bashkisë

schedule12:46 - 19 Korrik, 2019

schedule 12:46 - 19 Korrik, 2019

Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur që t’i lërë të lirë dy inspektorët e bashkisë që u arrestuan disa ditë më parë për shpërdorim detyre dhe korrupsion. Në seancë u pranua kërkesa e avokatit mbrojtës për t’u dhënë lirinë dy inspektorëve kundrejt garancisë pasurore.

Dy inspektorët e bashkisë së Shkodrës që u akuzuan për korrupsion janë lënë të lirë kundrejt një garancie pasurore. Bledar Plori dhe Isa Mandija kanë mohuar akuzat para trupit gjykues duke deklaruar se nuk kanë marrë ryshfet nga personi që i ka paditur.

Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për zyrtarët ndërsa avokati mbrojtës i të akuzuarve  Lulzim Karini  ka kërkuar lirim të menjëhershëm me garanci pasurore. Pasi dëgjoi palët Gjyqtari Hasan Selimi u dha lirinë dy inspektoreve. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.

Ata u arrestuan disa ditë më parë  pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë favorizuar një biznes në plazhin e Velipojës  me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.

Për ngjarjen është shpallur në kërkim edhe Denis Hoxha./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!