Gjykata e Lartë shqyrton ligjin që kufizon abortin

schedule16:01 - 2 Dhjetor, 2021

schedule 16:01 - 2 Dhjetor, 2021

Protestat ishin të zëshme në Uashington të mërkurën nga të dyja palët e debatit prej dekadash mbi abortin në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Gjykata e Lartë dëgjoi argumentat mbi një ligj shtetëror që do ta kufizonte këtë praktikë. Korrespondentja Carolyn Presutti e Zërit të Amerikës njofton.

Një sfidë për të drejtën e abortit në Amerikë, me protesta të zhurmshme që mund të dëgjoheshin brenda gjykatës.

Gjykata e Lartë të mërkurën shqyrtoi një ligj të shtetit të Misisipit që ndalon shumicën e aborteve pas 15 javësh të shtatzënisë. Pyetja e nxehtë tani: a do ta rrëzojnë gjykatësit vendimin historik të vitit 1973 “Roe kundër Wade” që vendosi se aborti ishte një e drejtë kushtetuese?

“Kjo është sfida më e madhe ndaj të drejtës për abort në dekada”, thotë Cathz Renna, protestuese.

Ligji i Misisipit shkurton afatin kohor kur gratë mund të zgjedhin të abortojnë. Sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve shumica e aborteve, rreth 92 për qind, ndodhin në 13 javët e para të shtatzënisë. Kjo periudhë është më e hershme se ajo që cakton ligji i Misisipit.

“Mendoj se aborti është një lloj barbarie. Është një praktikë e vjetër. Aborti i ka dëmtuar gratë dhe familjet për më shumë se 50 vjet”, thotë Krista Corbello, protestuese.

“Çdo jetë e shpëtuar është fitore, mendoj unë. Ajo që po bëjmë tani është vendosja e ndalimit të abortit në atë periudhë, siç e kanë shumë vende të tjera në botë”, thotë Savannah Ackerman, protestuese.

Një koment ky që mbështetet edhe nga disa ligjvënës në Kongres.

“Kjo është një mundësi t’i japim fund një regjimi ekstrem të abortit, të imponuar nga drejtësia, që është I ngjashëm me atë të vendeve të tilla si Kina dhe Koreja e Veriut. Shtetet e Bashkuara janë një nga shtatë vendet që lejojnë abortet e vonshme”, tha senatori republikan Steve Daines.

Në anën tjetër, janë ata që ndjejnë se gratë kanë të drejtë t’i japin fund shtatzënisë pa ndërhyrjen e qeverisë.

“Përpjekja kundër abortit ka të bëjë me politikanët, që duan të kenë kontroll mbi trupat e grave. Politikanët, që po ndërhyjnë në vendimet personal të njerëzve”, tha përfaqësuesja demokrate Lois Frankel.

“Unë nuk kam bërë kurrë një abort, por ka mundësi që një ditë mund të më duhet ta bëj. Dhe kjo ka të bëjë vetëm me të drejtën për abort”, thotë Alison Turkos, protestuese.

Presidenti Joe Biden mbështet ligjin e tanishëm.
“Unë e mbështes ligjin Roe v. Wade. Mendoj se është vendimi i duhur”.

Kundërshtarët e abortit po mbajnë shpresat tek shumica konservatore 6-3 e Gjykatës së Lartë për t’u dhënë atyre një fitore të shumëkërkuar. Gjatë debateve, anëtarja e Gjykatës Sotomayor paralajmëroi për dëmin që do t’i shkaktohej gjykatës, nëse vendimi shihet si përkulje ndaj presionit politik.

“Nëse njerëzit vërtet besojnë se gjithçka është politike, si do të mbijetojmë?

Zbatimi i ligjit të Misisipit do t’i hapte derën shteteve të tjera, që të miratonin ligje të ngjashme kufizuese.

Kreu i Gjykatës së Lartë John Roberts.

“Qëndrimi për fetusin më duket se nuk ka të bëjë me vendimin për të bërë abort apo jo. Por nëse është me të vërtetë një çështje vendimi, përse 15 javë nuk qënkan kohë e mjaftueshme për gratë që të vendosin?”

Gjykata e Lartë do ta shpallë vendimin e saj vitin e ardhshëm./VOA