Gjykata e Lartë ka rrezuar rekursin e Erion Veliajt ku kërkonte që të shpallen të pavlefshme aktet hetimore të Prokurorisë së Posaçme në ngarkim te tij.
Kryetari i bashkisë së Tiranës ka pretenduar se hetimet e SPAK janë kryer në shkelje të ligjit, madje Veliaj pretendonte se Prokurori i çështjes kundër tij Ols Dado ishte emëruar në mënyrë të paligjshme, por asnjë nga këto pretendime nuk janë pranuar nga Gjykata e Lartë.
Më herët Gjykata e Larte në muajin tetor i rrëzoi një kërkesë për lirim nga qelia Veliajt ndërsa Gjykata e Posaçme e shkallës së parë dhe e Apelit i rrëzuan kërkesat për pavflefshmëri aktesh gjatë muajve shtator–tetor të vitit 2025.
Gjykata e Posaçme më 9 shkurt vendosi për kalimin për gjykim të çështjes penale për korrupsion e pastrim parash në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, ish-deputetes socialiste Klotilda Bushka dhe 15 personave të tjerë, përfshirë pronarë kompanish ndërtimi dhe bashkëpunëtorë.
Prokuroria e dyshon kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për 13 akuza, përfshirë 9 raste korrupsioni, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje apo mbajtje sendesh të paligjshme në qeli.
Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.


