Gjykata e Lartë i hapi rrugën Teksasit që të zbatojë ligjim e diskutueshëm të imigracionit që lejon zyetarët e shtetit të arrestojnë personat që ata dyshojnë se kanë hyrë ilegalisht në vend. Gjykata e kishte bllokuar hyrjen në fuqi të ligjit, duke lëshuar një pauzë të pacaktuar në procedurat një ditë më parë.
Sipas ligjit, i njohur si SB4, policia lokale dhe ajo shtetërore mund të arrestojë dhe ndjekë penalisht ata të dyshuar për kalim të paligjshëm të kufirit meksikan. Administrata Biden e ka quajtur ligjin jokushtetues. Zbatimi i ligjeve të imigracionit, duke përfshirë arrestimet, zakonisht është trajtuar nga qeveria federale.
SB4 tani ua jep këtë fuqi zyrtarëve në Teksas, duke i lejuar ata të ndjekin penalisht migrantët ose të urdhërojnë kthimin e tyre në Meksikë. Ligji është ndër masat më të ashpra të imigracionit të marra nga çdo shtet amerikan në vitet e fundit.
Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton e përshëndeti vendimin si një “fitore të madhe” kundër administratës Biden dhe Unionit Amerikan për Liritë Civile (ACLU), i cili e kundërshtoi ligjin në gjykatë.
“Si gjithmonë, është nderi im të mbroj Teksasin dhe sovranitetin e tij dhe të na çojë drejt fitores në gjykatë”, shkroi ai në një postim në X, dikur Twitter.
SB4 u jep oficerëve të policisë lokale dhe të shtetit mundësinë për të ndaluar dhe arrestuar këdo që dyshohet se ka kaluar kufirin ilegalisht, përveç shkollave, objekteve të kujdesit shëndetësor dhe vendeve të kultit. Dënimet do të variojnë nga kundërvajtje në krime dhe burgim të mundshëm, ose gjoba deri në 2,000 dollarë.
Dënimet për ata që ilegalisht hyjnë përsëri në Teksas pasi janë dëbuar mund të shkojnë deri në 20 vjet burg, në varësi të imigrimit dhe historisë kriminale të një personi.
Departamenti i Drejtësisë ka argumentuar se SB4 shkel autoritetin e qeverisë federale për të siguruar kufirin e SHBA.
Për më tepër, administrata Biden ka paralajmëruar se mund të dëmtojë marrëdhëniet me Meksikën, e cila e ka dënuar ligjin si “anti-imigrues”./abcnews.al

