TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi masën “arrest me burg” për Erion Veliaj dhe “detyrim paraqitje” për të shoqen, për akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kryebashkiaku do të dërgohet në dhomat e paraburgimit në Burgun e Durrësit. Pas caktimit të masës, Erion Veliaj ka lënë ambientet e GJKKO-së për t’u transferuar drejt Durrësit.
“Do jetë në Durrës, në paraburgim në zbatim të masës së arrestit me burg”, raportoi më herët gazetari Ermal Vija.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u arrestua mesditën e të hënës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Masa “arrest në burg” u la në fuqi edhe biznesmenin Elman Abule, ndërsa për 5 të tjerë është vendosur masa e detyrimit për t’u paraqitur në prokurori.
Gjatë seancës, kryebashkiaku Erion Veliaj ka kundërshtuar gjetjet e prokurorit Dado në ngarkim të tij, ndërsa ka akuzuar këtë të fundit se është në konflikt interesi me të.
“Ti je në konflikt interesi, e ke personale me mua. Më je paraqitur dy herë për leje ndërtimi, ke marrë leje ndërtimi nga ana ime. Pasi ke mbetur i pakënaqur më ke thënë “do ta mbash mend”. Ke dy rrugë, ose të largohesh nga kjo çështje, ose të rreshtohesh me ndërtuesit e tjerë këtu”, citohet të ketë thënë kryebashkiaku Erion Veliaj në seancë/abcnews.al


