Gjykata e la në burg, 43-vjeçarja e akuzuar për terrorizëm: Kam tre fëmijë, dua të kryej dënimin në Shqipëri

schedule10:53 - 8 Shtator, 2020

schedule 10:53 - 8 Shtator, 2020

Gjykata e Tiranës caktoi arrest me burg për 43-vjeçaren Lubjana Gjeçaj, e dënuar në Itali me 3 vite burg për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Por në momentin që gjyqtarja Vjollca Spahiu tha se kjo masë sigurie vendoset me qëllim ekstradimi drejt vendit fqinj, Gjeçaj kërkoi që dënimin ta shlyej në vendin tonë, pasi ka 3 fëmijë të vegjël.

“Unë kam pasur djeni për vendimin e dhënë ndaj meje në Itali. Kam dashur të shkoj ta vuaj, por shteti italian s’më ka lejuar. Do të bëjë kërkesë që dënimin ta vuaj këtu, pasi kam 3 fëmijë, më i vogli 3 vjeç“, tha ajo para trupit gjykues.

Tashmë autoritetet italiane duhet të vendosin mbi këtë kërkesë së bërë nga gruaja e akuzuar për terrorizëm, nëse do të ekstradohet ose jo. Gjeçaj u arrestua 3 ditë më parë në kryeqytet, në zonën e “Astirit”.

Hetimet për të nisën në vitin 2015 nga prokurorët italianë.

LEXO edhe: Pjesë e grupit që kryente martesa mes të rinjve për t’i çuar luftëtarë për ISIS, kush është Lubjana Gjeçaj

Sipas tyre, Lubjana Gjeçaj akuzohet për pjesëmarrje në një grup radikal që rekrutonte luftëtarë për shtetin islamik ISIS. Bëhet fjalë për kohën kur gruaja 43 vjeçare jetonte si emigrante në vendin fqinj.

Në korrik të 2015-ës, gjatë operacionit të koduar “Martesa” u prangosën 10 persona, 4 italianë, 5 shqiptarë dhe 1 kanadez.

Pjesë e këtij grupi ishin edhe Baki Çoku i cili u arrestua në qytetin e Lushnjës dhe më pas u ekstradua në Itali, Dritan Gjeçaj, bashkëshorti i Lubjana Gjeçajt, Aldo Kobuzi dhe Arta Kakabuni.

Sipas autoriteteve italiane, ky grup kryente martesa mes të rinjve dhe i dërgonte ata fillimisht në Turqi e më pas në Siri për të luftuar për Shteti Islamik ISIS.

Detyra e Lubajnës ishte mbajtja e një forum të propagandës në Internet që synonte futjen e grave në Kalifat.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!