Gjykata e Aostës dënon me më shumë se 60 vjet burg shqiptarët

schedule15:17 - 7 Qershor, 2018

schedule 15:17 - 7 Qershor, 2018

Gjykata italiane në Aosta dënoi me 63 vite burg grupin e shqiptarëve të arrestuar në kuadër të operacionit “Ilium” me akuzën e trafikimit të kokainës nga Holanda në Itali. Personazhi më i rëndësishëm i grupit, sipas hetuesve italianë, ishte shtetasi shqiptar, Gëzim Shoshi, i cili shkonte në Holandë dhe paguante për kokainën, e cila dërgohej më vonë në Itali.

Janë shpallur të gjithë fajtorë të pesë të akuzuarit për çështjen “Ilium” që në fund të vitit 2012 zbuloi një trafik ndërkombëtar droge të drejtuar nga shqiptarët.

Më shumë se 60 vite burg për katër shtetas shqiptar dhe një italian si dhe një gjobë prej 40 mijë eurosh. Gjatë hetimeve në periudhën 2011- 2012 policia italiane zbuloi funksionimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës mes Italisë dhe Holandës, ku fitimi përfshirë dhe vlerën e drogës së sekuestruar u vlerësua me 2.5 milionë euro.

Të dënuarit janë Gëzim Shoshi, 57 vjeç me 21 vit burg dhe një mijë euro gjobë; 43 vjeçari Alfred Shabani u dënua me 11 vjet burg e një mijë euro gjobë, Lulzim Halili, 37 vjeç dhe Valentin Lleshi, 31 vjeç, u dënuan me 11 vjet burg dhe nga një mijë euro gjobë.  Ndërsa shoferi i kamionit, shtetasi italian Mauro Kauco, 66 vjeç, u dënua me 9 vjet burg dhe 35 mijë euro gjobë.

Gjithashtu gjykata italiane ka vendosur që shtetasit shqiptarë menjëherë pas përfundimit të dënimit të dëbohen nga Italia.

Sipas strukturës së ndërtuar nag hetuesit italianë, në Holandë shkonin paratë për të blerë kokainën, por ai që i dorëzonte në këtë rast, Gëzim Shoshi, nuk ishte kthyer në Aosta, aty ku jetonte, me ngarkesën e drogës. Kokaina vinte më vonë për të mos krijuar dyshime. Më pas shpërndarësi i dërgonte mesazh porositësve që vinin të merrnin kokainën./abcnews.al