52 vjet burg 5 të pandehurve të dosjes “Lazarati”

schedule13:27 - 2 Shkurt, 2018

schedule 13:27 - 2 Shkurt, 2018

Gati gjysëm shekulli burg dha sot Gjykata e Krimeve të Rënda për një pjesë të të pandehurve të dosjes së Lazaratit.

Mes të pandehurve spikat emri i Arbion Alikos, i cili u dënua me 13 vite heqje lirie për kundërshtim me armë të operacionit të policisë në fshatin që dikur ishte bastion kultivimi masiv kanabisi.

Përveç Alikos, ndaj të cilit ka edhe një proces të dytë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, sot gjykata dënoi me 11 vjet Gurgaz Skënderin, ndërkohë që për Enrik Skënderin dhe Alfred Prokon u dhanë nga 10 vjet heqje lirie.

Ndërsa i pandehuri, Beqo Brahimi, u dënua me 8 vjet burg.

Në momentin kur gjyqtarja, Flora Hajredini, ka qenë duke artikuluar dënimet për 5 të pandehurit, të cilët në shenjë proteste kanë thyer solemnitetin e sallës së gjyqit, duke u ulur ndërkohë që shpallej vendimi.

Edhe më herët gjatë seancës së sotme, Arbion Aliko, në fjalën e mbrojtjes së bërë prej tij, lëshoi akuza të ashpra ndaj policisë. Sipas Alikos, uniformat blu i kanë shpallur luftë fisit të tij dhe se pas ndërhyrjes në fshat droga e sekuestruar ka dalë nga Lazarati me autoblinda për t’iu shitur narkotrafikantëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!