Gjykata dënon me 17 vite burg për mashtrim Francesco Bechettin, e pësojnë edhe bashkëpunëtorët

schedule15:09 - 23 Shkurt, 2022

schedule 15:09 - 23 Shkurt, 2022

Gjykata ka dënuar me 17 vite burg biznesmenin italian Francesco Bechettin pasi trupa gjyqësore ka vërtetuar se ai kishte ngritur një një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash.

Bechetti u akuzua për 4 vepra penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim Dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Biznesmeni ndodhet jashtë Shqipërisë prej disa vitesh, ndërsa ka fituar edhe një çështje gjyqësore ndaj vendit tonë për shkak të mbylljes së televizionit “Agon Channel”.

Në 21 dhjetor 2021, prokuroria dërgoi dosjen e tij në gjykatë duke kërkuar prej saj 20 vite burg për Bechettin si edhe bashkëpunëtorin e tij Mauro de Renzis. Pas vlerësimit të provave në dosjen e prokurorisë, gjykata vlerësoi se Bechetti duhej dënuar me 17 vite burg, kurse de Renzi me 16 vite.

Gjykata dha edhe 8 vite burg për Liliana Condomittin, e cila akuzohet për “Pastrimi i produkteve të veprës apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. 8 vite ka qenë edhe pretenca e prokurorisë për Condomittin. Erjona Troplini është dënuar po ashtu me 8 vite burg, kurse Stavri Peçi dhe Fetah Dervishi u dënuan me shërbim prove.

Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Becchetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave.

Becchetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikish. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në ty dy shkallët e gjykimit.

Emri i Bechettit ka ngjallur vazhdimisht debat në Shqipëri pasi është një biznesmen që ka patur marrëdhënie të gjata me qeveritë e vendit.

 

Sëfundmi ai ka fituar një gjyq me vlerë 110 milion euro në arbitrazh kundër Shqipërisë me argumentin se televizioni “Agon Channel” iu mbyll për shkaqe “të motivuara politikisht”.

 

Në vitin 2015, shteti shqiptar i sekuestroi atij televizionin pasi akuzohej se ishte ngritur përmes pastrimit të parave dhe mashtrimit me të ardhurat.

Dënimet: 

Francesco Bechetti- 17 vite burg

Mauro De Renzis- 16 vite burg

Liliana Condomitti- 8 vite burg

Erjona Troplini-8 vite burg

Stavri Peci- 2 vite, pezullim ne shërbim prove

Fetah Dervishi- 3 vite burg, pezullim ne shërbim prove

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!