Gjykata dënoi me burg liderin e opozitës, protesta të dhunshme në Senegal, humbin jetën 9 persona

schedule08:02 - 2 Qershor, 2023

schedule 08:02 - 2 Qershor, 2023

Të paktën nëntë persona janë vrarë në Senegal pas përleshjeve mes policisë dhe mbështetësve të liderit të opozitës Ousmane Sonko, pasi një gjykatë e dënoi atë me dy vjet burg, duke hedhur dyshime serioze mbi shanset e tij për të kandiduar për president vitin e ardhshëm.

Mediat e huaja shkruajnë se vdekjet ndodhën pasi protestat shpërthyen në pjesë të kryeqytetit Dakar dhe qytete të tjera.

Ka qenë ministri i Brendshëm Antoine Felix Abdoulaye Diome i cili përmes një deklarate për mediat ka konfirmuar dhe numrin e viktimave.

Nga ana tjetër zëdhënësi i qeverisë Abdou Karim Fofana tha se forcat e sigurisë e kishin situatën nën kontroll në kryeqytet.

Disa media sociale dhe platforma të mesazheve u kufizuan në Senegal të enjten vonë – një lëvizje “ka të ngjarë të ndikojë ndjeshëm në aftësinë e publikut për të komunikuar”, tha observatori i internetit NetBlocks.

Sonko, kundërshtari më i ashpër i Presidentit Macky Sall, mungonte kur vendimi u dha të enjten.  Ai supozohej të ishte në shtëpinë e tij në Dakar, ku ishte bllokuar nga forcat e sigurisë pasi u ndalua në fundjavë.

Autostrada që të çonte në aeroport u ndërpre nga demonstruesit, sipas mediave lokale, ndërsa një tren udhëtarësh që lidh qytetin e ri të Diamniadio me kryeqytetin ndaloi shërbimin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!