Irani duhet të paguajë më shumë se 6 miliardë dollarë dëmshpërblim për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Sipas gjykatës së Nju Jorkut, e cila dha vendimin, atentatorët ishin trajnuar në Iran dhe për këtë arsye Teherani mban përgjegjësi.
Gjykata e Nju Jorkut vendosi që Irani, Banka Qendrore iraniane dhe rojet e revolucionit islamik janë përgjegjës për vdekjen e më shumë se një mijë personave si pasojë e sulmit terrorist të 11 Shtatorit. Për këtë arsye gjykatësi amerikan Xhorxh Daniels vendosi se Teherani duhet të dëmshpërblejë familjet e viktimave për një shumë totale që tejkalon 6 miliardë dollarët. Nuk ka prova për lidhje të drejtpërdrejta mes Iranit dhe terroristëve përgjegjës për sulmet ndaj kullave binjake, por vendimi u dha duke u bazuar në hipotezën se atentatorët janë trajnuar në Iran.
Gjykatësi vendosi si dëmshpërblim 12.5 milionë dollarë për bashkëshortët, 8.5 milionë për prindërit e fëmijët dhe 4.25 milionë për vëllezërit. Mbetet për t’u parë se si do të vijojë çështje në kornizën ndërkombëtare, pasi Irani nuk ka komentuar ende vendimin e gjykatës së Nju Jorkut. Por në të kaluarën i kishte cilësuar akuzat si qesharake pasi asnjë nga autorët e sulmit nuk ishte Iranian dhe nuk ka asnjë provë për lidhje të drejtpërdrejta mes atentateve dhe Teheranit.

