Prej disa ditësh Vlora është “rrethuar” nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, megjithëse deri më tani nuk ka një rezultat konkret për operacionet e vazhdueshme të zhvilluara kohët e fundit.
Sot policia e Vlorës pati një dalje për mediat, ku u pyet nga gazetarët nëse po kërkohet për fatin e Ervis Martinajt në këtë qytet? Këtë pyetje policia e Vlorës, as nuk e ka mohuar po as nuk e ka pohuar, duke thënë se ka një plan të detajuar për kontrollet.
“E vërtetë që FNSH ka qenë prezent ne qytetin e Vlorës. Ka një plan të detajuar nga shërbimet e policisë, e kemi pasur dhe mbështetjen e tyre. Këto kontrolle do vijojnë e në javët në vijim në lidhje me procedimet që kanë ngritur skuadrat e hetimit”, tha zyrtari i Policisë.
I pyetur a ka indicie policia që Martinaj ka qenë në Vlorë, zyrtari i Policisë tha se “është një çështje që nuk i përket qarkut të Vlorës. Strukturat e DVP Vlorë mbështesin të gjitha strukturat e drejtorive të tjera policore për çfarëdo lloj verifikimi apo operacioni në terren”.
/abcnews.al/