Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç vizitoi Kosovën me rastin e Pashkëve Ortodokse. Duke folur pas meshës, ai dha deklarata nacionaliste.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka vizituar Kosovën, këtë herë në mënyrë të rregullt dhe me leje të autoriteteve. Ai ishte i pranishëm në Manastirin e Banjskës afër Zveçanit, ku mori pjesë në liturgjinë e Pashkëve Ortodokse. Gjuriç, pas meshës përcolli mesazhe nacionaliste.
Marko Gjuriç, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe: “Ne serbët jemi pak në numër, por jemi popull trim dhe liridashës dhe ne do të qëndrojmë këtu në Kosovë. Do të dimë si ta mbrojmë popullin tonë në Kosovë, sepse këtu për më shumë se 1000 vjet kemi ndërtuar identitetin e të gjithë kombit serb. Është ndërtuar edhe në të kaluarën, po ndërtohet edhe sot dhe të jeni të sigurt që do të ndërtohet edhe në të ardhmen”.
Duke uruar Pashkët Ortodokse të gjithë besimtarëve, Gjuriç tha se mesazhi i tij për këtë kohë është “këmbëngulja, qëndrueshmëria dhe dashuria për të gjithë”. Në liturgjinë në Manastirin e Banjskës në Zveçan, e cila u udhëhoq nga Igumani Danilo, gjithashtu ishte i pranishëm edhe Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe deputetë të tjerë të kësaj force politike. Ndërkohë, kjo ishte vizita e tij e parë në Kosovë pas arrestimit dhe dëbimit nga forcat speciale në Veri të Mitrovicës, pasi kishte hyrë ilegalisht./abcnews.al