Millo Gjukanoviç ka triumfuar në zgjedhjet presidenciale në Mali të Zi. Numërimi i të gjitha votave ka treguar se Gjukanoviç fitoi me 53.8% të preferencave. Ndjekësi më i afërt ishte Kandidati i Frontit Demokratik, Demokratëve, Partisë Socialiste Popullore dhe Lëvizjes qytetare URA, Mlladen Bojaniç, i cili mori 33.5% të votave. Ndërsa 5 kandidatët e tjerë nuk arritën as në kuotën 10% të votave.
Presidenti i ri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, në një fjalim pas shpalljes së fitores tha se ka përmbushur premtimin, duke fituar zgjedhjet që në raundin e parë të votimit. Ai beson se fitorja nënkupton mbështetjen e rrugës së Malit të Zi në Bashkimin Europian.
“Jam i bindur se nuk do t’i zhgënjejmë qytetarët dhe se në pesë vitet e ardhshme do ta bëjmë këtë hap përfundimtar”, tha Gjukanoviç në ndërtesën e qeverisë së vjetër.
Ai shtoi se vlerëson entuziazmin, besnikërinë dhe angazhimin e qytetarëve dhe premtoi se do të ndërtojë për ta një jetë më të mirë.
Pothuajse të gjithë rivalët e tij pranuan humbjen. Kandidati presidencial, Marko Milaçiç, nuk e ka pritur aspak mirë fitoren e Gjukanoviç në raundin e parë të zgjedhjeve, duke thënë se kjo është një humbje për shoqërinë malazeze.
“Po hyjmë në fazën e diktaturës”, tha ai, duke shtuar se kjo do të thotë se do të hyjmë në dekadën e katërt të mosndryshimit të pushtetit.
Ndërkohë, për herë të parë në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi ka pasur një kandidate femër. Draginja Vuksanoviç mori vetëm 8.3% të votave./abcnews.al