Me flamuj të UÇK-së dhe pankarta me mbishkrime “Arsimi në shqip është e drejtë, jo privilegj”, “Gjuha shqipe nuk negociohet” dhe “Nga Prishtina në Shkup, shqipja nuk shuhet kurrë”, studentë të Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të tjerë kanë mbajtur protestë paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Përmes kësaj proteste, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Studentët thanë se janë mbledhur për të mbështetur një të drejtë që buron nga ligji dhe jo nga vullneti politik.
Javën e kaluar në Maqedoninë e Veriut janë mbajtur protesta masive të studentëve shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Protestuesit kanë kërkuar të drejtën për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe zbatimin e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në të gjitha nivelet shtetërore.
Një protestë e tillë u mbajt edhe në Tiranë.


