Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja ka deklaruar në emisionin “Pas Mesnate”, se gjuha shqipe nuk mbrohet me ligj.
Ai ka theksuar se gjuhën e mbrojnë më së miri folësit e saj, por që së fundmi është kthyer në tragjedinë më të madhe, pasi popullësia vitale po emigron dhe gjuha po transformohet.
Kraja theksoi se në Kosovë është e pamundur që gjuha të mbrohet me ligj, pasi është një shtet multiernik dhe multigjuhësor.
“Mendoj që gjuha shqipe nuk mbrohet me ligj. Nuk e di përvojat se cilat janë dhe nga cilat përvoja niset Akademia e Shqipërisë. Ne nuk e bëjmë dot, se ne kemi sistem tjetër ligjor, por kemi dhe Kushtetutën ndryshe. Për të vendosur ligjet sistemore, duhen 2/3 e parlamentit, e pakicave dhe kjo nuk arrihet. Kosova është caktuar si shtet multietnik dhe multigjuhësor, edhe nuk ka shanc që kjo të kalojë.
Gjuha nuk mbrohet me ligj. Gjuhën e mbrojnë më së miri folësit e saj. Ku e ka shqipja rrezikun më të madh? Nga folësit e saj, braktisja e gjuhës shqipe nga folësit e saj, është tragjedia më e madhe. Kjo është tragjedia, nuk është standardi. Është i parëndësishëm standardi karshi kësaj. Gjuha shqipe po braktiset nga folësit dhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi, gjithkund. Sepse popullsia vitale emigron dhe transformohet gjuhësisht dhe këtu qendron tragjedia e gjuhës shqipe, edhe humb folësi”, tha profesori./abcnews.al