Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nga Brukseli tha se vetingu ka për qëllim të arrijë një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe profesional në Shqipëri. Ajo njoftoi se vakumi me rrëzimin e gjysmës së gjyqtarëve dhe prokurorëve do të zëvendësohet me kandidatët magjistratë.
Kryefjala e institucioneve europiane për reformat e integrimit europian në Shqipëri mbetet rezultate të mëtejshme konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtë e ka përkuituar sërish drejtori i Përgjithshëm për zgjerimin, Christian Danielsson në samitin e përvitshëm të miqve të Europës mbi Ballkanin Perëndimor në Bruksel. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e ftuar në këtë samit, ka theksuar se procesi i Vettingut është parashikuar që në fillim si fazë tranzitore për të arritur një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe profesional në Shqipëri.
Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: “Procesin e Vettingut e kemi parashikuar si një proces tranzitor për të bërë rivlerësimin e tre elementeveve kryesore; Deklaratës së pasurisë, profesionalizmit dhe integritetit. Kjo bëhet së pari për të rikthyer besimin publik te sistemi i drejtësisë, së dyti për të garantuar paanshmërinë e sistemit gjyqësor dhe së treti, pavarësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga politika, si dhe për të prerë të gjitha lidhjet e mundshme me krimin e organizuar”.
Për ministren Gjonaj do të jenë kandidatët magjistratë që po ndjekin shkollën e Magjistraturës, që do të zëvendësojnë në të ardhmen gjyqtarë dhe prokurorë për të mbushur vakumin e krijuar me rrëzimin e 50% të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Etilda Gjonaj, ministre e drejtësisë: “Sigurisht që është një sfidë e madhe që të mbushen vendet vakante të gjyqëtarëve dhe prokurorëve që janë rrëzuar. Nuk kishim parashikuar që 50% e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të rrëzohej nga sistemi. Por tani, kemi parashikuar në ligj dhe po marrim masa për të rritur numrin e kandidatëve magjistratë, që do të ndjekin shkollën e magjistraturës dhe që mund të bëhen në të ardhmen gjyqtarë dhe prokurorë”.
Samiti BE-Ballkan i titulluar këtë vit “Zgjerimi, integrimi dhe sfidat e transformimit” mbledh çdo vit përfaqësues të rëndësishëm të vendeve të rajonit, institucioneve europiane si edhe shoqatave joqeveritare dhe fondacioneve në Bruksel. /abcnews.al