Gjonaj: Largohet nga puna drejtori i Tatimeve Vlorë

schedule16:16 - 30 Janar, 2019

schedule 16:16 - 30 Janar, 2019

Largohet nga detyra drejtori i Tatimeve Vlorë, 3 inspektorë të kësaj drejtorie dhe ndëshkohen me masa disiplinore 6 punonjës të tjerë. Janë këto veprimet e fundit që ka ndërmarrë Task Forca Antikorrupsion pas ankesave në platformën e bashkëqeverisjes.

Korrupsioni i shtuar në Shqipëri sipas tabelës që ka publikuar “Transparency International” e ka një shpjegim sipas Ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

“Shqipëria paraqitet me një një rënie prej 2 pikësh. Por trendi për të gjithë rajonin është në rënie lidhur me perceptimin e publikut përsa i përket luftës kundër korrupsionit për vitin 2018”.

Ministrja Gjonaj thotë se ndërkohë qeveria shqiptare po vijon të zbatojë Strategjinë Ndërsektoriale Antikorrupsion 2015-2020, dhe planin e veprimit të cilat përmbajnë masat parandaluese nga të gjitha institucionet për rritjen e transparencës dhe luftën kundër korrupsionit.  Një prej strukturave të ngritura për këtë qëllim është edhe Task Forca Antikorrupsion, e cila ka ndëshkuar jo pak punonës të administratës.

“Për periudhën 8 mujore ka rekomanduar 327 masa administrative, 468 masa disiplinore (prej të cilave 108 prejt tyre janë largime nga shërbimi civil/largime nga puna për punonjës të administrates publike që kanë shkelur ligjin) si dhe 36 punonjës të kallzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, për korrupsion dhe  shpërdorim detyre”.

Pas një denoncimi të kryer të platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al Task Forca Antikorrupsion ka kryer një kontroll të detajuar në Drejtorinë Rajonale Tatimore Vlorë, ku janë evidentuar shkelje në praktikat e rimbursimit pas të cilave kanë rekomanduar 10 masa disiplinore.

“Largimi nga shërbimi civil i Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore Vlorë. Largimi nga shërbimi civil i 3 inspektorëve kontrolli të po kësaj drejtorie. Marrja e masave disiplinore për 6 punonjës, Drejtorin e Kontrollit, përgjegjësin e kontrollit dhe 4 inspektorë kontrolli”. 

Po ashtu gjetjet e këtij raporti, Task Forca Antikorrupsion do t’i referojë në prokurorinë e rrethit gjyqësor Vlorë, si material shtesë në vijim të kallzimit të bërë në muajin korrik të vitit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!