GJKKO rrëzon kërkesën e SPAK për Lulzim Berishën, i lë afat 4 muaj për plotësimin e hetimeve

schedule14:44 - 16 Shkurt, 2024

schedule 14:44 - 16 Shkurt, 2024

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për pushimin e çështjes ndaj Lulzim Berishës për vrasjen e Vajdin Lames në vitin 2005. Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur kthimin e dosjes së SPAK për plotësim hetimesh dhe i la afat SPAK katër muaj.

Lulzim Berisha u arrestua disa javë më parë në Spanjë, ndërkohë Shqipëria ka nisur procedurat e ekstradimit të tij.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames.

Nga ana tjetër, në 8 dhjetor të 2020 SPAK njoftoi zbardhjen e dy ngjarjeve kriminale të ndodhura 15 vite më parë ku fillimisht do të ekzekutohej Klodian Saliu dhe më pas me eksploziv Vajdin Lamaj dhe miku i tij Artan Arsi. Sipas dosjes hetimore, zbulimi i personave të përfshirë në këto dy ngjarje u bë përmes dëshmisë së një prej të akuzuarve, Luftar Reçit i cili tha disa emra që sipas tij ishin të përfshirë, ku ndër to ai përmendi dhe Lulzim Berishën.

Lulzim Berisha ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, në shkurt të 2020, ku u kërkua sekuestrimi pasurive të tij dhe të familjarëve për shkak se dyshohej se janë përfituar nga veprimtari të jashtëligjshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!