Konsiderohej një nga mbrojtësi më premtues, të krahut të majtë të mbrojtjes, në Evropë, mirëpo prishja e marrëdhënieve, me teknikun, Diego Simeone i kushtoi jo pak anësorit brazilian, Renan Lodi, i cili tashmë pas disa “aventurave”, te anglezët e Nottingham Forest dhe francezët e Marseille, tashmë do të transferohet te “gjigantët” arabë , të Al-Hilal.
Me anë të një postimi në profilet zyrtare, të klubit, “të mëdhenjtë” e Saudi Pro League kanë zyrtarizuar, këtë të mërkurë afrimin e mbrojtësit brazilian, me bordin e Al-Hilal, që kanë derdhur në arkat e Olympique Marseille shifrën e 23 milionë eurove, ndërsa këtij të fundit i kanë ofruar një kontratë 3.5 vjeçare, të vlefshme deri në verën e vitit 2027.
Mbi këtë transferim, një koment të shkurtër e bëri edhe tekniku i “gjigantëve” arabë, Jorge Jesus, me portugezin, që është tepër i kënaqur me afrimin e ri në skuadër, teksa për mediat menjëherë pas nënshkrimit të Lodi u shpreh se tifozët janë tepër entizuastë për lojtarët, që bordi i skuadrës ka afruar përgjatë këtyre 2 merkatove të fundit.
“Në futboll duhet të vazhdosh të përpiqesh të bëhesh më i fortë dhe nuk ka kohë më të mirë për ta bërë këtë sesa kur fiton trofe. Ne gjithmonë duhet të përpiqemi të përmirësohemi. Kemi sjellë disa lojtarë të mirë dhe mendojmë se tifozët do të jenë entuziastë”,- u shpreh tekniku i Al-Hilal pas zyrtarizmit të afrimit të mbrojtësit 25-vjeçar. /i.m /abcnews.al