Mbi 25 mijë turistë të huaj kanë vizituar Gjirokastrën gjatë muajit qershor, duke shënuar një rritje të ndjeshme të vizitueshmërisë në qytetin muze.
Risi për këtë sezon janë vizitorët nga Skocia, të cilët kanë zgjedhur të qëndrojnë për disa ditë në Gjirokastër, ndërsa për pjesën më të madhe prej tyre kjo është hera e parë në Shqipëri. Sipas përshtypjeve të turistëve, arkitektura karakteristike e qytetit të gurtë, historia, kulinaria dhe mikpritja vendase mbeten elementët më të vlerësuar të eksperiencës së tyre.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Gjirokastra regjistron rreth 20 për qind më shumë vizitorë, me fluks të qëndrueshëm kryesisht nga Polonia, Franca, Gjermania dhe Italia, por edhe nga Kosova.
Qarku i Gjirokastrës vijon të ofrojë një gamë të gjerë atraksionesh turistike, që nga Banjat e Bënjës në Përmet, rafting në lumin Vjosa dhe turizmi malor, deri te Kalaja e Argjiros, e cila mbetet një nga pikat më të vizituara të zonës.
Ndërkohë, sezoni turistik po shoqërohet edhe me një kalendar të pasur aktivitetesh kulturore, nën organizimin e institucioneve vendore të trashëgimisë dhe Bashkisë së Gjirokastrës.



