Gjirokastër, rrëzohet muri i kishës së Nokovës

schedule16:00 - 25 Nëntor, 2018

schedule 16:00 - 25 Nëntor, 2018

Kisha në Nokovë të Gjirokastrës mund të shembet plotësisht. Reshjet e fundit kanë dëmtuar më shumë strukturën e saj.

Themelet e kësaj kishe po lëkunden. Reshjet më të fundit kanë ndikuar për përkeqësimin e gjendjes. Është kisha ortodokse e Shën Gjergjit në fshatin Nokovë në Gjirokastër. Një kishë më shumë se 200-vjeçare.

Muri anësor i saj është shembur në dy pjesë dhe gurët kanë zënë një pjesë të mirë të rrugës që të çon për tek lagja e sipërme. Pritet një grup inxhinierësh për të vlerësuar dëmin dhe bërë studimin gjeofizik të ndërtesës.

Edhe në brendësi të kishës gjendja është e rëndë. Tavani në 50% të sipërfaqes së tij është gati në rënie e bashkë me të edhe çatia. Dy profile betoni anësore nuk po rezistojnë nga pesha. Kryeplaku i fshatit Anesti Shupuli ka kërkuar ndihmën e autoriteteve për të ndërhyrë sa më shpejt në këtë drejtim.

Kisha e Shën Gjergjit në Nokovë, daton në shekullin e 19-të dhe konsiderohet si objekt i trashëgimisë kulturore dhe hyn në listën e monumenteve të katëgorisë së parë. Ajo ka rezistuar dhe mbahet në këmbë nga investimet e pjesshme që kanë realizuar banorët e fshatit./abcnews.al