Gjirokastër, nisi shpërndarja e librave falas

schedule15:41 - 13 Shtator, 2018

schedule 15:41 - 13 Shtator, 2018

Në Gjirokastër ka nisur shpërndarja e librave falas, por edhe shitja e tyre. Në të dyja rastet ka shumë prindër që ankohen, si ata që duhet të kujdesen të mos dëmtojne librin deri në fund të vitit, por edhe ata që i blejnë thonë se çmimet janë të larta.

Shumë prindër në Gjirokastër nuk po i blejnë librat për fëmijët e tyre. Ata thonë se kushtojnë shtrenjtë dhe nuk e përballojnë dot. Gjasat janë që një pjesë e fëmijëve në këtë qytet të nisin vitin e ri shkollor pa tekse mësimore. Nga ana tjetër kanë mbërritur edhe librat që do jepen falas për kategorinë nën nevojë. Janë libra që duhet ti ruajnë dhe ti kthejnë në fund pa dëmtuar. Drejtoresha e shkollës 9 vjeçare në Gjirokastër, Alma Dudumi, njoftoi se prindërit duhet të paraqiten me kartë identiteti për ti tërhequr ato.

Alma Dudumi, drejtoreshë e shkollës A.Z .Çajupi: “Çdo prind dhe fëmijë që do të marri librat do të plotësojë një aktmarrëveshje të librave për gjendjen e tyre dhe për numrin. Prindi do të vijë më emrin, mbiemrin dhe numrin e kartës së identitetit.”

Ky kusht nuk është pritur mirë nga prindërit dhe nxënësit jo vetëm në Gjirokastër. Ka patur shumë ankesa edhe në Tiranë e në rrethe të tjera për këtë gjë. Prindërit janë të mendimit që është e vështirë të menazhosh një fëmijë në mënyre që ai të mos dëmtoje librin përgjatë gjithë vitit shkollor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!