Shtetet e Gjirit publikuan këtë të enjte një deklaratë të përbashkët për të dënuar sulmet e hapura dhe kriminale nga Irani ndaj Infrastrukturës së tyre energjetike duke sinjalizuar se këto Kombe kanë gatishmërinë dhe të drejtën për të kryer sulme vetëmbrojtëse në të ardhmen.
Vendet e Gjirit shprehën shqetësimin e tyre të veçantë mbi sulmet që janë kryer nga territori i Irakut nga grupe të armatosura dhe milici të lidhura me Iranin duke theksuar shkeljet e vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare.
Sulmet e kryera si nga Irani ashtu edhe nga grupet aleate të regjimit kane shkaktuar dëme të mëdha në terminalet e naftës dhe gazit të lëngshëm natyror në Vendet e gjirit, sulem këto që do të kërkojnë disa vite për tu riparuar dhe kosto shumë të larta. Kjo nuk është hera e parë që vendet e Gjirit kanë reaguar me deklarata të forta ndaj sulmeve Iraniane mbi infrastrukturën e tyre të energjisë.
Megjithatë përdorimi i termit vetëmbrojtje në mënyrë unanime në deklaratën e fundit tregon një ndryshim toni nga vendet e Gjirit, të cilat deri më tani kishin mbajtur një qëndrim më neutral dhe kishin bërë thirrje për ulje të tensioneve.
Presidenti Iranian kishte kërkuar falje për disa nga sulmet ndaj fqinjëve të tij, por kjo nuk i ka ndalur goditjet nga ana e Teheranit që I ka justifikuar këto sulme duke deklaruar se bazat ushtarake amerikane në rajon kanë qenë objektiva legjitime të tyre. Zyrtarë të Gjirit kanë paralajmëruar se “duhet të paguhet një çmim” për këto sulme, të cilat kanë ngadalësuar zhvillimin ekonomik të rajonit dhe kanë dëmtuar imazhin e tij si një zonë e sigurt për biznes dhe turizëm.
Në 24 orët e fundit, fuqitë rajonale — veçanërisht Emiratet e Bashkuara Arabe — kanë sinjalizuar një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit, pavarësisht përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti përmes bisedimeve për paqe, të cilat Irani i mohoi fillimisht.
Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në SHBA, Yousef Al Otaiba, deklaroi se një “armëpushim i thjeshtë nuk është i mjaftueshëm” në lidhje me bisedimet e mundshme mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Ndërkohë, drejtori i kompanisë shtetërore të naftës së Emirateve, Sultan Al Jaber, tha se kontrolli i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit përbën “shantazh në shkallë globale”.


