Aktivistja Brizida Gjikondi u shpreh mbrëmjen e sotme në “Log.” se ditën e shtunë policia duhet të kishte shoqëruar në komisariat Sali Berishën, pasi sipas saj ishte në kushtet e flgrancës.
“Berisha të shtunën ka qenë në kushtet e flagrancës së pastër penale. Duhet të shoqërohej sepse ai është deputet dhe shoqërohet kur prish rendin kushtetues. Ai (Berisha) të shtunën, ishte iniciatori, shtytësi i gjithçkaje. Edhe për një sherr ordiner policia ndërhyn dhe jo më përpara një skandali. Ne kemi një SPAK dhe një prokurori Tirane që nuk funksionon. Ai i së shtunës ishte konflikt barbar. Nëse do japim një simbol që ligji është i barabartë për të gjithë, është e disata herë që jo vetëm Berisha po çdo lider i politikës shqiptare kalon pa u lagur” tha ajo.
Sipas Gjikondit, Berishës nuk i intereson godina e PD-së. “Berisha në 30 vite nuk ka zbatuar ligj, statut dhe gjykata. Ai gjithmonë ka vepruar me idenë unë jam ligji. Berishës i intereson të ketë destabilitet, përsa kohë nuk është sqaruar situata e tij “non grata”. Atij nuk i intereson situata e PD-së apo selia, po e përdor si “kurban”. Ai nuk ka dashur ta marrë selinë se kishte mënyra ta tjerë të sofistikuara. Basha ka qenë në legjitimitetin e tij për t’u mbrojtur. Basha mund do të tërhiqet në një moment të dytë, por jo tani. Ndoshta në një kohë të dytë kur gjërat të stabilizohen mund të hapë një garë për krahun e tij” tha ajo.
Analisti Artur Zheji duke analizuar skenën politike shqiptare, tha se Basha është i vetmi njeri që duhet eksperimentuar për gjëra të reja.
“Unë mendoj që Basha ka më shumë shanse. Basha u shkëput nga orbita e Berishës. Në asnjë moment nuk e ka humbur ekuilibrin verbal. Pozitivizmi dhe gjëja e re që përfaqëson në një skakierë politike bosh, ne kemi Rama dhe të tjerët bosh, zero. Kemi LSI që nuk po merr veten nga goditja e 25 Prillit. Meta nuk është akoma në skenë dhe me siguri do të kthehet. Dhe kemi këtej Berishën dhe Bashën. Këtu është një gjarpër që kafshon bishtin e vet, është një ambient i helmuar, alternativat e reja politike i “vrasin” sapo lindin. Në këto aktorë, njeri që duhet eksperimentuar për gjëra të reja është Basha dhe fati i tij ndoshta është më i fortë se ai, por fati e udhëheq njeriun. Nëse besojmë se koha politike e Ramës do të vazhdojë edhe për 2-3 mandate të tjera është cështje tjetër” tha ai.
Por, Mentor Nazarko mendon ndryshe. “Basha është e vërtetë që në 8 vite ka qenë në “hijen” e Berishës, por Basha është shumë vonë për të bërë ndryshim dhe për shkak të presionit të Berishës, është i “sëmurë” nga Berishizmi. Duhet të thuash ca të vërteta dhe të krijosh narrativa që nuk kanë lidhje me të vërtetë. Pra, Basha nuk shihet i çliruar nga sindroma e Berishizmit. Është koha për një marrëveshje të madhe politike“.
Ish-zyrtari i PD-së, Gjergj Bojaxhi nuk shikon shpresë te asnjëri prej tyre. “As Berisha dhe as Basha nuk e çojnë më PD-në në fitore. Berisha, në atë kuvend shumica kanë votuar kundër Bashës se nuk duan të jetë më kryetar. Edhe Berishën nuk e duan kryetar, por vetëm që të heqë Lulin. Zgjidhja nuk është me dhunë, por me gjykatë. Kjo punë do të shkojë në zgjedhje politike” përfundoi ai./ Abcnews.al