Damian Gjiknuri ka hedhur poshtë zërat se në tryezën e Reformës Zgjedhore është duke u diskutuar edhe idea për një qeveri teknike. Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të tryezës së sotme, Gjiknuri tha se kjo është kërkesë e Partisë Demokratike, por se nuk është duke u diskutuar prej tyre.
Madje, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore tha se është jashtë mandatit të grupit të punës diskutimi edhe i rishikimit të Reformës territoriale kurse për propozimin e PD për hetimin e krimeve dhe korrupsionit zgjedhor nga SPAK e la të hapur si çështje.
“Vazhdon puna e grupit të punës. Patëm disa propozime sot nga PD, për kuotat gjinore dhe për disa problematika që ata duan të përfshihen në legjislacion lidhur me rolin e Policisë së Shtetit apo parandalimin e krimeve zgjedhore.
Jemi në frymën për të gjetur bashkëpunimin apo për të reflektuar për kërkesat e arsyeshme. Jo të kërkojmë çdo lloj kërkese politike që mund të realizojë diçka”, tha Gjiknuri duke shtuar se Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka tagër të prekë çështje të reformës territoriale. /abcnews.al

