Gjiknuri: Qeveria do të vijojë projektet pavarësisht opozitës

schedule15:45 - 25 Shtator, 2018

schedule 15:45 - 25 Shtator, 2018

Një ditë pas platformës së prezantuar nga opozita se në momentin e ardhjes së saj në pushtet do të prishen dhe konfiskohen pasuri dhe projekte koncesionare që po zhvillohen sot, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se kjo është një gjobëvënie. Damian Gjiknuri sqaron se askush nuk mund të dalë mbi ligjin dhe konventat ndërkombëtare, qoftë kjo një parti politike.

Platforma antimafia e prezantuar nga opozita shihet nga ministri Damian Gjiknuri si degradim politik i saj. Kreu i Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili është autoriteti kontraktor për lidhjen e disa kontratave koncesionare të listuara nga demokratët se do të prishen në momentin që ata do të vijnë në pushtet, tha se ky sulm është një gjobëvënie ndaj bizneseve.

 “Ajo çka duhet të them për këto deklarata është se nuk e mendoja nivelin e degradimit deri në situata para politike të një partie kryesore opozitare që pretendon të vijë në pushtet. Deklarata të tilla, më e pakta janë gjobëvënie kurse më e shumta janë të kërcënosh zhvillimin ekonomik të këtij vendi”, tha Gjiknuri.

Damian Gjiknuri sqaroi se Shqipëria është anëtare e Konventave Ndërkombëtare, mbi të cilat nuk mund të dalë asnjë parti politike, pasi nëse prishet apo jo një kontratë e kontestuar nga një palë, fjalën e fundit e ka drejtësia.

 “Republika e Shqipërisë është anëtare e konventave ndërkombëtare që mbrojnë çdo lloj investimi  dhe ka ikur koha kur një parti politike, për interesa të saj politike të mund të kërcënojë biznese të cilat investojnë në këtë vend apo të mund të ndërmarrë masa të cilat janë të denja për regjimet të cilat ju ka ikur koha”, tha Gjiknuri.

Qeveria do të vazhdojë punën e saj për zhvillimin ekonomik të vendit, për modelin që është votuar, tha kreu i Infrastrukturës. Partia Demokratike listoi një sërë emrash biznesmenësh dhe kontrata konçesionare të marra nga kompanitë e tyre sit ë jashtëligjshme dhe në dëm të buxhetit të shtetit duke paralajmëruar prishjen dhe konfiskimin e tyre kur të vijë në pushtet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!