Gjiknuri prezanton Ballën si drejtues qarku: Fieri nuk pati rezultatin e duhur, s’jemi parti që flemë gjumë

schedule17:51 - 15 Shtator, 2021

schedule 17:51 - 15 Shtator, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ka prezantuar në Fier drejtuesin politik të këtij qarku Taulant Ballën. Gjatë një deklarate për mediat, Gjiknuri deklaroi se Fieri nuk ka pasur rezultatin që pritej dhe për këtë arsye në këtë qark do të bëhet një analizë e thellë për të qenë gati për zgjedhjet lokale 2023.

“Kam filluar një tur takimesh në të gjitha qarqet e Shqipërisë për të prezantuar të delegimit të ri dhe për të filluar punën për reformimin e Partisë Socialiste për të qenë gati për zgjedhjet e ardhshme. Nuk jemi parti që flemë gjumë dhe të presim zgjedhjet.

Ne duhet të fillojmë të organizohemi sa më mirë. Edhe këtu në Fier pavarësisht se rezultati mund të kishte qenë më I mirë. PS do korrigjojë gabime që ka bërë me qëllim që zgjedhjet vendore të kenë rezultat sa më të favorshëm.

Takimi është organizativ. Në të gjithë Shqipërinë do ketë riorganizim të strukturave. Fieri nuk pati rezultatin që ne prisnim. Ka qenë një qark tradicionalisht i majtë. Fitorja e zgjedhjeve vendore në Fier do jetë shumë e rëndësishme për këtë proces”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë Balla deklaroi se është i kënaqur të drejtojë PS në Fier, qark i cili është drejtuar për 12 vite nga Gramoz Ruçi.

“Secili prej nesh e ka ëndërr që në një moment të karrierës së tij të jetë drejtues politik i qarkut Fier, qarku ku PS ka më shumë detyrime se në çdo qarku tjetër dhe është qarku ku buron mbështetja më e madhe për PS. Natyrshëm është përgjegjësia më e madhe pasi i jemi borxhli qarkut Fier. Jam i kënaqur që vij të drejtoj PS-në, pasi atë e ka drejtuar për 12 vite me radhë personaliteti më i rëndësishëm Gramoz Ruçi. Unë do mundohem të bëj më të mirën”, deklaroi ai. m.v/abcnews.al