Një histori suksesi që ringjall prodhimin, eksportin, ekonominë, por edhe gjeneron punësim. E tillë është ajo e uzinës së ferrokromit në Burrel për ministrin e energjisë dhe infrastrukturës Damian Gjinknuri, deklaratë të cilën e dha gjatë inspketimit të investimit të shoqërisë koncesionare atje.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri pa nga afër Uzinën e Ferrokromit në Burrel ku gjatë vitit 2017 shoqëria koncesionare ka investuar 11 milion dollarë. Ky investim ka rritur kapacitetin prodhues të uzinës deri në dyfishim të tij, produkt i cili shkon i gjithi për eksport.
“Po të kujtojmë, para shumë vitesh, kjo uzinë qe totalisht e braktisur. Falë investimeve private dhe politikave nxitëse të qeverisë sot kemi një industri që po shtohet…. Vetëm kjo uzinë e ferrokromit i jep ekonomisë shqiptare 28 milion USD më shumë…. Sot që flasim, këto 28 milion USD janë përkthyer në investime, janë përkthyer në punësim, janë përkthyer në një zinxhir ekonomik që prek edhe shumë sektorë të tjerë të lidhur me industrinë e kromit”.
Gjiknuri theksoi se shpejt edhe miniera e Vllanës do të mund të kalojë këtë cikël investim – prodhim – punësim.
“Shumë shpejt edhe aty do të kemi ringjalljen e asaj miniere, shtimin e prodhimit, ngritjen e impiantit të koncentrimit të kromit dhe shtimin e prodhimit të kromit në vend… Shembulli konkret i punës dhe suksesit është ky: investim, punësim, rritje e kapaciteteve prodhuese, rritje e të ardhurave për ekonominë kombëtare. Ky është edhe synimi i kësaj qeverie përsa i përket industrisë minerare”.
Drejtuesi teknik i uzinës së ferrokromit në Burrel nënvizoi se po studiohet mundësia e hapjes së nëj fure të tretë prodhimi, investim i cili llogaritet të arrijë vlerën 10 milion dollarë. /abcnews.al