Gjiknuri e Ahmetaj në kantierin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë: Funksional në 2019

schedule14:47 - 26 Janar, 2018

schedule 14:47 - 26 Janar, 2018

Rruga Qukës –Qafë Plloçë do të jetë gati në pranverën e vitit 2019. Afatin për përfundimin e këtij projketi e deklaroi ministri i Infrastrukurës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë inspektimit të punimeve.

40 kilometrat e rrugës Qukës-Qafë Pllocë do të jenë gati në vitin 2019. Lajmin e mirë për këtë arterie që afron Korcën me Tiranën e dha Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.

“Ka qenë një nga ato projektet e trashëguara me shumë probleme por që po futet në rrugën e zgjidhjes. Është një segment i rëndësishëm, i vështirë, në një terren shumë të vështirë siç e shikoni edhe vet. Kompanitë po bëjnë një punë shumë të mirë dhe me zgjidhjen e problemeve të mbetura të projektit, besoj kjo rrugë do të jetë funksionale në vitin 2019 duke kompletuar këtë segment të rëndësishëm, duke afruar Korçën me Tiranën dhe pjesën tjetër të Shqipërisë. Në filozofinë tonë është ajo çka e kemi deklaruar, që duhet të përfundojmë të gjitha projektet e nisura. Fatkeqësisht, megjithëse është thënë që janë filluar rrugë ato asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht të financueshme. Njëkohësisht do të hapim dhe ato segmente që kompletojnë arteriet e vendit”,

Duke shkuar përtej projektit konkret, Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj garantoi se qeveria ka tashmë plan të qartë në Buxhetin afatmesëm që krijon hapësirat fiskale për investimet masive në infrastrukturë pa cënuar stabilitetin.

“Qeveria shqiptare ka një plan shumë të qartë në Buxhetin afatmesëm, me hapësirat e duhura fiskale, për të kaluar edhe në projektin ‘1 miliard rindërtim’ me pesë segmente shumë të mëdha, të ndara gjeografikisht në veri dhe në jug të Shqipërisë. Në kuadrin e tre viteve, mendohet që viti 2018 do të jetë një vit shumë i rëndësishëm nga ana proceduriale e hartimit të projekteve, negocimit të kontratave. Fundi i vitit 2018, viti 2019, në vazhdim 2020 do të jenë vite kantieri shumë të rëndësishëm në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që siç e theksova, ne e kemi të maturuar dhe financimin brenda buxhetit afatmesëm ndaj nuk do të kemi surpriza fiskale negative por përkundrazi”,

I pranishëm gjatë inspektimit në terren, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kujtoi se deri në vitin 2013 në këtë projekt nuk ishte realizuar asgjë. Ndërsa me këto ritme që po punohet sipas Ballës rruga do të jetë gati në pranverën e vitit 2019./abcnews.al