Gjika: Lojë kungulleshash, unë e lashë Flamurtarin pa borxhe. Logo e re tmerr

schedule08:52 - 20 Janar, 2020

schedule 08:52 - 20 Janar, 2020

Flamurtari është me një këmbë në Kategorinë e Parë dhe vetëm një mrekulli mund të mbajë në Superiore. Ekipi vlonjat nuk ka fituar asnjë ndeshje në dy fazat e para dhe problemet financiare e kanë dëmtuar keq. Së fundmi erdhi dënimi nga FIFA dhe merkato u mbyll. Kuqezinjtë nuk mund të përforcohen në këtë seksion merkato, në verë dhe në janarin e ardhshëm. Rreth situatës së trishtë ka folur edhe Shpëtim Gjika.

Ish-kryetari i Bashkisë dhe presidenti i Flamurtarit nuk kursehet në prononcimin për “Zona Gol” në Supersport dhe akuzon Bashkinë e Vlorës. Lojë kungulleshash e cilëson Gjika “luftën” mes Bashkisë dhe administratorit Idrizi, teksa thekson se nga koha e tij ka vetëm një borxh të vjetër, të vitit 2006. Në fund logo e re e klubit. Gjikës nuk i pëlqen aspak, madje e cilëson si një zhabë të tmerrshme.

Ajo është shoqëri aksionere, që i është dhënë një kompanie private apo personi në administrim, është përgjegjësi e Bashkisë. Bashkia ka përgjegjësi për sportin, duhet të paktën të kishte siguruar që minimumi të zbatohej kontrata. Një herë në tre muaj kompania jep llogari para këshillit bashkiak për administrimin, gjë që mesa di unë nuk ka ndodhur.

Bashkia ka përgjegjësinë dhe Idrizi si administrator ka përgjegjësinë e tij. Duket si lojë kungulleshkash, se njëri thotë dua para e tjetri thotë nuk jap. Në vitin 2014 direktivat nga UEFA e FIFA ishin që klubet të ktheheshin në shoqëri aksionere. Duke u nisur edhe nga presioni i qytetarëve u votua për ta kthyer në shoqëri aksionere.

Klubi ka funksionuar mirë, të paktën jo si sot. Me vendimin e 2014 nuk i është dhënë Sinan Idrizit, i është dhënë kompanisë Atlas dhe TRK, teksa zoti Idrizi ka qenë përfaqësues i tyre. Nuk janë kompanitë e tij personale që e kanë vënë president. Kontrata ishte dyvjeçare, por në 2016 nuk kam qenë më në Bashki dhe atëherë është kaluar drejtpërdrejt si administrator i Flamurtarit zoti Idrizi.

Asnjë borxh nuk ka ekipi i Flamurtarit nga koha kur kam qenë unë. Asnjë justifikim nuk është për pikët kur u hoqën dhe thanë se është për faj të Shpëtim Gjikës. Kontratat që ngelën nga unë, si ajo e Ernest Gjokës, janë shlyer nga Flamurtari para vitit 2014. Por edhe një kontratë që na ka ngelur nga 2006 nuk ka qenë situata si tani. Aktualisht shifra e borxheve është e madhe. Rënia nga kategoria nuk është vetëm rezultat teknik, se ashtu ranë Vllaznia e Tirana.

Duke mos paguar lojtarët është kapitullim, për më tepër i një emri si Flamurtari që ka bërë histori. Të gjitha Bashkitë në vend paguajnë për futbollin, edhe e Vlorës, por ajo paguan për Orikumin. Me bisedat e bëra me ish-lojtarë të shquar, ata jetojnë me shpresën se mbase vijnë ata lojtarët e Milanit. Është e vërtetë që borxhet aktuale maten me miliona.

Për mua situata është e pashpresë. Po logo e klubit? E tmerrshme. Kanë vënë një zhabë të tmerrshme aty. Janë gjëra që tregojë që ke kokëfortësi, nuk njeh institucione, nuk njeh historinë. Si shkabë më duket, ta shpif“, përfundon Gjika. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!