Gjici sqaron në “ABC” rritjen e taksave në kohë pandemie: Trillime politike, jemi brenda ligjit

schedule19:34 - 24 Dhjetor, 2020

schedule 19:34 - 24 Dhjetor, 2020

Kryetari i Bashkisë së Kukësit , Safet Gjici në Radari Infromativ në “ABC”  foli për rritjen e taksave në këtë Bashki.

Ai tha se nuk është rritur taksa për individin, por është rritur taksa për bizneset që synojnë të ndërtojnë kulla.

Po ashtu Gjici tha se taksa e energjisë elektrike dhe taksa për linjën e internetit nuk kanë pasuar asnjë rritje, duke shtuar se kanë taksat më të ulëta në të gjithë Shqipërinë.

“Nuk është e vërtetë që janë rritur të dyja këto taksa, është një trillim politik. Taksa e linjës së internetit dhe kabllot e energjisë elektrike nuk kanë pësuar rritje. Nuk është prekur asnjë taksë dhe të gjitha taksat tjera nuk janë prekur dhe këto mund t’i krahasoni.

Taksat në Bashkinë Kukës janë shumë herë më të ulëta.  Është gënjeshtër rritja e taksës për linjën elektrike dhe për linjën e internetit, këto taksa nuk janë të prekura. Taksa e linjës së internetit ka qenë dhe do të mbetet 6 mijë lekë të reja për kilometër linear”, tha Gjici.

Po ashtu ai tha i vendosur, se është rritur vetëm një taksë e infrastrukturës që ka të bëjë me qëllimet e bizneseve të mëdha që synojnë të ndërtojnë biznese, apo kulla në Kukës.

“Bashkia kur miraton buxhetin dhe paketën fiskale, bën dëgjesa publike dhe ne i kemi bërë këto. Jemi brenda ligjit dhe kemi vendosur taksën me 6% për ato biznese që kanë qëllime të ndërtojë kulla shumëkatëshe apo hoteleri. Pra ne kemi hartuar dhe jemi në pritje të planit të ri zhvillimor për Kukësin”, u shpreh ai.

Sakaq ai theksoi se rritja e taksës më 2% në infrastrukturë sipas tij nuk ka ndikim të madh tek bizneset, ndërsa shtoi se për ndërtimet individuale taksa e infrastrukturës është me 2.5% më e ulëta në të gjithë Shqipërinë.

Sa i përket transparencës së relacionit që shpjegon lëvizjet e bëra, Gjici tha se çdo vendim është publik duke theksuar se është bërë edhe argumentimi se përse taksa e infrastrukturës për biznese të mëdha është rritur.

Ka 30 vjet që nuk është menduar për një plan zhvillimor të mirë për Kukësin. Taksën e kemi gjetur nuk e kemi vendosur ne, taksën e internetit dhe të linjës elektrike e kemi gjetur, as nuk e kemi prekur dhe as nuk e kemi ndryshuar. Taksën e linjës së energjisë elektrike e kemi mbledhur”, tha më tej Gjici.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!