Gjici: Penalltia e prishi ndeshjen! Bojkoti? Jam kundër, por kërkesat janë të drejta

schedule10:18 - 18 Shtator, 2020

schedule 10:18 - 18 Shtator, 2020

Safet Gjici, kryebashkiaku i Kukësit dhe “de facto” edhe njeriu që komandon gjithçka në klubin verilindor, pasi eliminimit nga Europa League ka folur për mediat. Disfata 0-4 me gjermanët e Wolfsburg nuk është pritur mirë dhe Gjici mendon se momenti kyç i ndeshjes ishte penalltia e humbur nga Eduart Rroca. Mes të tjerash ai flet edhe për bojkotin e kampionatit, për shkak se qeveria nuk po plotëson katër kërkesat që Liga Profesioniste e Futbollit ka bërë që në fillim të muajit gusht.

NDESHJA – “Wolfsburgu është ekip gjerman, ekip i mirë. U munduam atë tonën, por sicc e dimë në futboll bëhen gabime. Normalisht edhe ata bënë gabime, por ne nuk i shfrytëzuam. Ata e bënë dhe ky është futbolli. Rezultati i pjesës së parë nuk është i drejtë, sepse edhe ata dy golat që i pësuam, ishin gola që duhet të ishin evituar. Gjithsesi them se penalltia e prishi lojën. Po ta kishim realizuar 2-1 në pjesën e parë, do kishim një ndeshje tjetër pjesën e dytë.

E mbivlerësuam më shumë sesa duhet Wolfsburgun. Unë e kisha thënë që 11 me 11 jemi në fushë. Pamë një Wolfsburg, që ndoshta dhe mund të dilte ndeshja barazim, po të kishim realizuar penalltinë. Por kjo  është me ndoshta, ndoshta. Pjesën e dytë bëmë shumë gabime, natyrisht dhe fati nuk ishte me ne. E gjuajti penalltinë në trekëndësh, por…

Nuk ishte me ne fati. Po të isha unë, do t’ia lija sulmuesit Eze penalltinë, edhe po ta humbte. Rroca nuk shquhet për gjuajtje nga 11-metërshi, edhe pse ka gjuajtje të forta. Ka meritë edhe portieri, pasi ishte gjuajtje e fortë. Wolfsburgu ka portier të mirë, mesfushorë e  sulmues të mirë, por ndonjë diferencë shumë të madhe nuk pamë”.

KAMPIONATI DHE BOJKOTI – “Kampionati do të fillojë, sepse ndryshe i bie që t’i shkrijmë ekipet. Kështu që besoj se do të nisë dhe Kukësi gjithmonë është për titull kampion, ju e dini këtë. Objektivi nuk ndryshon. Mendoj se kemi bërë ekip të mirë, por edhe skuadrat e tjera janë përforcuar. Kampionati do e tregojë në fund kush është më i miri.

E kam thënë dhe e them që katër kërkesat që ka liga janë të drejta, por gjithmonë them që këto zgjidhen duke u ulur në tavolinë. Qeveria ka autorizuar Fidel Yllin për të negociuar me Ligën dhe për të diskutuar. Liga mund të ulet shumë shpejt. Nëse duam ta formalizojmë futbollin, ato katër pika duhet të realizohen.

Ndoshta 100 për qind nuk bëhen, pasi jemi në situatë pandemie. Unë nuk jam për bojkot, jam për t’u ulur në tavolinë. Realisht këto probleme janë shumë të rëndësishme, nëse duam që Superiorja të forcohet. Do kalonim shumë ture në Europë. Duhet të ulemi dhe të negociojmë për të zgjidhur problemet që kemi”, përfundoi Gjici. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!