Gjici: Kukësi, më i fortë! Bojkoti? Nuk ka më shaka pas takimit Rama-Duka

schedule11:57 - 25 Tetor, 2020

schedule 11:57 - 25 Tetor, 2020

Superiorja mund të nisë fundjavën e ardhshme dhe nesër pritet që të ketë një takim të presidentëve të Superiores. Bojkoti është drejt fundit, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme ka folur kreu i klubit të Kukësit, Safet Gjici. Në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport ai fillimisht tha:

“Liga zhvillon mbledhjet e veta, por kampionati duhet të fillojë dhe do të fillojë. Takimi që kishte Duka me Ramën, besoj se do t’i japi zgjidhje përfundimtare bojkotit. Unë kam qenë kundër bojkotit dhe ja ku erdhëm, zgjidhja bëhet nëpërmjet tavolinës”. Pak ditë më parë ishte vetë kreu i FSHF, Armand Duka, i cili u ul në tavolinë me kryeministrin Edi Rama.

“Nuk ka rëndësi se kush takohet. Me sa di unë, Duka nuk ka qenë pro bojkotit. Të shkonte Kokëdhima të takonte kryeministrin!? Mendoj se takimi ishte i vlefshëm dhe futbolli do të rikthehet shpejt. Besoj se duhet të presim edhe pak dhe qeveria do të vendosë. Këto gjëra nuk bëhen aq shpejt. Nuk bëhet zgjidhja me një takim. Edhe qeveria i ka ekspertët e vet”, shtoi Gjici, i cili është kryetar bashkie i Kukësit dhe këtë post e ka fituar me siglën e Partisë Socialiste.

Sikurse kuptohet ai mund të kishte qenë ndërmjetës me kreun e qeverisë. I ngacmuar për këtë, Gjici ka shtuar: “Unë jam president nderi te Kukësi. Kam qenë dakord për kërkesat, por nuk isha dakord për bojkotin. Si president i nderit kam thënë se vetëm tavolina mund të zgjidhë gjithçka. Mendoj se takimi mes Dukës dhe Ramës ishte për zgjidhjen e kërkesave. Tani janë vetëm detaje teknike për t’u hedhur në letër”.

Më pas Gjici ka kaluar te kampionati: “Besoj që javën tjetër do të fillojë kampionati. Ky është mendimi im. Them se është humbje e madhe të vazhdojë bojkoti. Është dhënë një premtim nga qeveria. Gjërat kanë evoluar dhe besoj se nuk bëhet shaka me këtë takimin e fundit. Mendoj se sa më shpejt të fillojë futbolli, aq më mirë është. Unë mendoj se qeveria do t’i mbajë premtimet dhe do i zgjidhë”.

Në lidhje me stadiumin që po ndërtohet në Kukësi, presidenti i Kukësit tha: “Federata, me sa di unë, është e gatshme të paguajë pjesën e saj për stadiumin e Kukësit. Qeveria ka shtuar disa pjesë në projekt dhe këtu kemi mbetur deri tani. Duhet të bëjmë shpronësimin e tokave para stadiumit. Ishte për t’u hapur në shtator, por u bënë disa shtesa, nga Rama, por edhe nga Duka. Pastaj morëm vendimin, që ta ndryshojmë projektin”.

Në fund ai dha edhe një mendim në lidhje me ekipin që Kukësi ka ndërtuar sivjet: “Në letër shikojmë se Kukësi tani është shumë herë më i mirë sesa ka qenë më përpara. Kukësi nuk e ndryshon objektivin e vet, që është titulli kampion”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!