Shpërthen Safet Gjici. Presidenti i Kukësit nuk kursen arbitrat dhe lojtarët e tij pas humbjes së pësuar me Laçin ditën e djeshme. Kreu i klubi verilindor është i irrituar dhe thekson se penalltia e dhënë dje nuk ishte dhe tregon se do të ankohen në FSHF.
“Nuk e di si e patë ju, po për mua ajo nuk ka lidhje me penalltinë. U bë e dyta herë që arbitrat me Laçin vendosin rezultatin. Ky është turp i madh. Nuk e kuptoj se çfarë arbitrash janë këta që marrin këtë iniciativë për të shkatërruar investimet që bëjmë ne në futboll”, ka deklaruar mes të tjerash Gjici në një prononcim për “Panorama Sport”.
Shënjestra më pas është nga ekipi: “Mjaft i kam duruar, do të ketë një analizë të thellë. Disa lojtarë që vijnë te Kukësi vetëm për të marrë rrogën, nëse nuk reagojnë, nuk do ketë shans që të paguhen”. Sikurse kuptohet situata te Kukësi nuk është aspak e mirë, kjo për shkak të rezultateve të deritanishme. Verilindorët, pas 12 javëve kampionat, numërojnë vetëm 18 pikë. /abcnews.al