Gjici: Jepini kohë skuadrës, për disa medie Kukësi është “ferr”

schedule13:16 - 24 Nëntor, 2020

schedule 13:16 - 24 Nëntor, 2020

Kukësi luan nesër ndaj Laçit një ndeshje shumë të rëndësishme. Verilindorët numërojnë vetëm një pikë pas tre ndeshjeve të para të Kategorisë Superiore dhe një fitore nesër do rriste shumë moralin dhe pozitat në renditje.

Në lidhje me ndeshjen e nesërme foli edhe presidenti i nderit i klubit, Safet Gjici. Kryetari i bashkisë së Kukësit u shpreh se ekipi do kohën e vet dhe sulmoi mediet në lidhje me lajmin e pavërtetë sipas tij, për bojkotimin e stërvitjes nga lojtarët.

“Që kur rindërtuam ekipin kemi thënë që në javët e para se do te kemi këto rezultate. Ekipi ka lojtarët më cilësorë në Shqipëri. Shumëkush thotë se rezultatet flasin, nëse rezultatet janë të mirë edhe ekipi është i mirë. Kjo është e vërtetë. Por ekipi do kohën e vet.

 

Nuk kemi pasur fat edhe për shkak se Gega u infektua me Covid-19. Profesor Gegës i uroj shërim sa më të shpejtë dhe të jetë pranë ekipit. Padiskutim edhe zv.trajneri po merret me ekipin. Unë mendoj se lojtarët çdo javë do të jenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin.

Besoj se do të kemi rezultate te frikshme deri në fund të sezonit. Nuk i kuptoj disa analistë që flasin për ekipin dhe rezultatet. Ne e dimë se rezultatet nuk mund ti prisnin që në ndeshjen e parë me një ekip të ndërtuar për kampion dhe të rindërtuar rishtazi me shumë lojtarë cilësorë dhe me përvojë.

 

Unë kam bindjen se kjo situatë pandemia i ka rënduar lojtarët psikologjikisht plus edhe rezultatet. Them se nesër me Laçin do të shkarkohen nga ana psikologjike dhe do të kemi një rezultat pozitiv. Sa i përket shkrimeve për bojkot të stërvitjes, Gjici tha se lojtaret kanë dalë në stërvitje.

Imagjinoni sa qejf e kanë Kukësin disa medie. Kukësi për ata është bërë beterr dhe ferr. Ata thonë inshallah Kukësi nuk del në stërvitje, mos të kapë rezultate. Por Kukësi do të vazhdojë punën e vet.

Ne si bashki do e mbështesim maksimalisht dhe po punojmë për infrastrukturën e stadiumit, me qëllim që sa më shpejt ta kthejmë ekipin dhe tifozerinë në shtëpi në stadiumin e ri. Dhe pastaj të shikojmë se çfarë rezultatesh do të marrë ekipi”, përfundoi Gjici. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!