Gjici “gatuan” gjobat, Artur Dadaj: Boll më, kështu nuk vazhdohet!

schedule09:24 - 23 Janar, 2020

schedule 09:24 - 23 Janar, 2020

Luftëtari dhe Kukësi kanë barazuar mes tyre një ditë më parë dhe në të dy kampet janë mërzitur. Verilindorët, nisur nga objektivat që kanë, duhet të merrnin pikët e plota në Gjirokastër. Për më tepër ndaj një ekipi që renditet i parafundit dhe përbëhet nga lojtarë të rinj.

Mund të kishte shkuar edhe më keq për Kukësin, pasi Luftëtarit iu anulua një gol. Presidenti Safet Gjici nuk e ka pritur mirë barazimin dhe sipas të përditshmes sportive “Panorama Sport”, ai po bën gati gjobat për futbollistët, të cilët të martën kishin marrë pagën e muajit nëntor.

 

Artur Dadaj, zëvendëspresidenti i Luftëtarit

Ndërkohë në kampin e Luftëtarit nuk mungojnë akuzat për gjykimin dhe zëvendëspresidenti Artur Dadaj ka folur për të njëjtën gazetë. Arbitri i ndeshjes është në shënjestër për atë gol të shënuar nga Qato, që u anulua. “Nëse ka njeri në botë dhe pranon se goli ynë nuk ishte i rregullt, atëherë s’ka vend për ta komentuar dhe nuk duhet të merremi me këtë punë…”, thotë fillimisht Dadaj.

Më tej ai shton: “Si mund të anulohet ai gol! Turp për këta gjyqtarë që hedhin poshtë mundin e lojtarëve! Vetëm një gjyqtar si ky që kishin sjellë në ndeshjen me Kukësin mund ta mohojë atë gol dhe të tallet me djersën e lojtarëve apo investimet tona.  Nëse duan të bëhen gjyqtarë këta njerëz, nuk mund të bëhen kështu, pasi tregojnë se janë të paaftë.

Pse gjithmonë ne si klub do të jemi viktimë e gjykimeve…?! Në javët e kaluara na kanë ndëshkuar me 11-metërsha të paqenë. Tani duket se po ndryshojnë taktikë, duke na anuluar gol të rregullt dhe mos akorduar penallti 100% të pastër. Kështu nuk mund të vazhdohet”, përfundon Dadaj deklaratën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!