Teuta, nëpërmjet disa futbollistëve të saj, zbret konkretisht në terren në solidarizim dhe mbështetje të familjeve në nevojë, për t’i ndihmuar me ushqime në këtë kohë tepër të vështirë të mbërthyer nga pandemia.
Kallaku, protagonist i Teutës, së bashku me shokë të tjerë të skuadrës, ka dhënë shembullin konkret për t’i qëndruar afër kësaj familje, e cila ka nevojë më shumë se kurrë për një ndihmë të tillë. Dhe këtë hap e hedhin futbollistët e Teutës.
Vetë zonja, nënë e dy fëmijëve me probleme shëndetësore, falënderoi nëpërmjet ABC News këtë gjest. Nga ana e tyre futbollistët e Teutës, në solidarizim me situatën shprehën që kjo gatishmëri nuk do të përfundojë këtu.
Teuta nëpërmjet grupeve të veçanta ka nisur disa orë stërvitore edhe në ambient të hapur, teksa nisma të tilla të përgjegjësisë sociale nuk mungojnë në qytetin që e goditi fort edhe tërmeti i nëntorit të kaluar. /abcnews.al