Fridrih Merz shprehu mbështetjen e tij për Izraelin gjatë vizitës së parë në vend si kancelar i Gjermanisë.
Merz u takua me presidentin Isaac Herzog dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu, teksa vizitoi gjithashtu muzeun e Holokaustit.
Kancelari gjerman shprehu mbështetjen ndaj Izraelit dhe tha se Berlini do të mbrojë gjithnjë ekzistencën dhe sigurinë e shtetit izraelit.
Megjithatë, Merz pranoi se sjellja e Izraelit gjatë luftës në Gaza kishte paraqitur një dilemë për vendin e tij.
“Gjermania do të mbrojë gjithmonë ekzistencën dhe sigurinë e Izraelit. Kjo është pjesë e thelbit të pandryshueshëm të marrëdhënies sonë. Megjithatë, gjatë kësaj lufte të gjatë, veprimet e qeverisë izraelite na kanë vënë edhe para një dileme të caktuar. Izraeli duhet të matet edhe kundrejt ligjit ndërkombëtar në veprimet e tij ushtarake”, tha Merz.
Kancelari gjithashtu mbështeti një zgjidhje me dy shtete, që sipas tij ofron perspektivën më të mirë për të ardhmen e rajonit.
Merz bëri thirrje për më shumë ndihmë humanitare që të hyjë në Rripin e Gazës dhe që luftëtarët e Hamasit të dorëzojnë armët e tyre.
Por Netanyahu nga ana tjetër, nuk e përjashtoi si temë diskutimi aneksimin e Bregut Perëndimor, një hap të cilin Gjermania ka kërkuar të mos ndërmerret.
Dhuna nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve ka ardhur në rritje muajt e fundit, ndërsa Izraeli ka ndërmarrë një plan për aneksimin e Bregut Perëndimor. Një lëvizje e tillë është kundërshtuar edhe nga vetë aleatët e izraelit, të cilët theksojnë se kjo do të rrezikonte armëpushimin.

