Gjermani, të mërkurën takimi i parë i negociatave për qeverinë e re

schedule18:50 - 11 Dhjetor, 2017

schedule 18:50 - 11 Dhjetor, 2017

Këtë të mërkurë në Gjermani do të zhvillohet raundi i parë i negociatave për qeverinë e re mes Unionit Kristian Demokrat të Angela Merkel dhe Socialdemokratëve të Martin Shulc. Kancelarja gjermane thekson se nuk hyn në bisedime për një qeveri pakice.

Të mërkurën me 13 dhjetor në Gjermani do të zhvillohet takimi i parë mes Martin Shulc, lider i Partisë Socialdemokrate dhe Angela Merkel, lidere e Unionit Kristiandemokrat dhe me aleatin e saj bavarez Horst Seehofer të Unionit Kristiansocialist. Ata do të mblidhen për të diskutuar mundësinë e një qeverie të re me koalicion të madh që i jep fund krizës politike me të cilën po përballet vendi prej disa muajsh. Për Merkel, pas dështimit të projektit të aleancës me Ambjentalistët dhe Liberalët, marrëveshja me Social Demokratët e Shulc mbetet shpresa e vetme për të qëndruar në pushtet dhe për të rivendosur stabilitetin e brendshëm në vend.

Kancelarja gjermane raportoi se bordi dhe presidiumi i partisë së saj pajtohen se duan një “qeveri të qëndrueshme”. Ajo nënvizoi se një qeveri e aftë për të vepruar do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve aktuale në vend, në Evropë dhe në botë. Merkel bëri të qartë edhe një herë se nuk e konsideron një qeveri të pakicës si një zgjidhje të qëndrueshme. “Unë shkoj në bisedimet e ardhshme me Social Demokratët me bindje dhe mbështetje të madhe”, u shpreh ajo duke nënvizuar dëshirën për t’i zhvilluar sa më shpejt këto negociata.

Të tre këto forca politike dolën nga një humbje e madhe në zgjedhjet federale për Bundestagun e ri pasi me 24 shtator numri i deputetëve të tyre në parlament u reduktua ndjeshëm. Ndërsa populistët fituan shumë pikë për shkak të politikës së Merkel për pranimin e refugjatëve në vend.

Martin Shulc për të krijuar koalicionin qeverisës në Gjermani i kërkon kancelares Merkel një objektiv shumë të qartë dhe kryesor: formimin e Shteteve të Bashkuara të Europës deri në vitin 2025. Ndërsa Kristiansocialistët bavarezë të Seehofer hyjnë në negociata duke parë zgjedhjet rajonale të vitit të ardhshëm, të etur për të imponuar një kufizim në pritjen e refugjatëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!