Gjermani/ Schulz braktis drejtimin e SPD-së

schedule22:37 - 13 Shkurt, 2018

schedule 22:37 - 13 Shkurt, 2018

Pas heqjes dorë nga posti i ministrit të Jashtëm, që pritej të mbante në kuadër të marrëveshjes me kancelaren Merkel, Martin Schulz është tërhequr edhe nga posti i kryetarit të SPD-së, për të lehtësuar bashkëqeverisjen.

Kryetari i Partisë Social-Demokrate në Gjermani, Martin Schulz ka dhënë dorëheqjen me qëllim lehtësimin e përgatitjeve për koalicionin qeverisës me konservatorët e kancelares Merkel.

Schulz ka deklaruar se do t’ia dorëzonte drejtimin Andrea Nahles me efekt të menjëhershëm. Sidoqoftë, anëtarët e SPD-së do të votojnë më 22 Prill për këtë ndryshim. Burime konfidenciale nga partia bëjnë me dije se kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Olaf Scholz do të jetë lider i përkohshëm.

Martin Schulz u tërhoq duke thënë se dëshironte t’i jepte fund debateve për emërimet në radhët e partisë. SPD ka rënë dakord për një koalicion qeverisës me kristian-demokratët e CDU-së dhe aleatëve të tyre bavarezë, CSU. Votimi për koalicionin e madh do të mbahet muajin e ardhshëm dhe rezultatet pritet të publikohen më 4 Mars. SPD, parti e qendrës së majtë, pritet të marrë drejtimin e 6 ministrive, përfshirë atë të Financave dhe atë të Punëve të Jashtme. Schulz, ish-kryetar i Parlamentit Europian, kishte në plan të drejtonte MPJ-në, por u tërhoq pas përplasjeve të brendshme në SPD./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!