Protestat kanë filluar në Gjermani pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, ku u vranë 5 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Në sheshin qendror të qytetit, disa protestues u mblodhën me pankarta në duar. Ata bënë thirrje për largimin e emigrantëve, për kontrolle më të forta dhe thanë se ata që nuk e duan Gjermaninë, duhet të largohen.
E djathta ekstreme Alternativa për Gjermaninë, bëri thirrje për tubime edhe më të mëdha. Autori i sulmit ishte 50-vjeccari Taleb al Abdulmohsen nga Arabia Saudite, i cili që prej vitit 2006 punonte si mjek psikiatër në Gjermani. Por me detajet e reja që dalin në dritë, ka një mundësi që edhe persona të tjerë të kenë pasur lidhje me ngjarjen. Autoritetet gjermane po hetojnë rolin e tre personave, të cilët mbrëmjen e sulmit u panë duke brohoritur dhe festuar, ndërsa autori hyri me shpejtësi me makinë mes turmës.
Sipas mediave gjermane, tre personat janë parë pak metra larg tregut të Magdeburgut, duke shprehu gëzimin e tyre për masakrën. Policia ka marrë të dhënat e tyre personale, ndërsa të tre akuzohen për “autorizimin e krimeve që mund të prishin qetësinë publike”. Sipas nenit 140 të Kodit Penal, kjo dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë.
Megjithatë, reagimi i tyre mund të tregojë se 50-vjeçari kishte informuar “ndjekësit” e tij për sulmin që po planifikonte. Ndërkohë, autori i dyshuar i sulmit në tregun e hapur të Krishtlindjeve është nxjerrë para hetuesisë. Sipas Prokurorisë Publike, ai akuzohet për pesë vrasje dhe 200 raste të tentativës për vrasje. Pavarësisht hetimeve të mëtejshme, policia ende beson se autori ka vepruar i vetëm, pa bashkëpunëtorë.
Motivi i 50-vjeçarit mbetet ende i paqartë, ndërsa një pistë mund të jetë “pakënaqësiae tij me mënyrën se si refugjatët nga Arabia Saudite trajtohen në Gjermani”.
Autori i dyshuar kishte qenë kritik ndaj Islamit për vite me rradhë dhe në postimet e tij kishte miratuar narrativa të ekstremit të djathtë, si shkëmbimi i supozuar i popullsisë dhe teoria e islamizimit të shoqërive evropiane. / abcnews.al