Gjermani, mobilizimi i ekstremistëve tremb policinë

schedule20:36 - 27 Gusht, 2018

schedule 20:36 - 27 Gusht, 2018

Një incident mes një banori vendas dhe disa të huajve ka vënë në lëvizje rreth 800 huliganë të ekstremit të djathtë, që kanë nisur një gjueti shtrigash në rajonin e Saksonisë, në Gjermani. E shqetësuar nga mobilizimi masiv, qeveria ka dërguar forca policie shtesë për të vënë qetësinë.

Autoritetet gjermane kanë shtuar praninë e policisë në lindje të vendit, pasi disa qindra protestues të së djathtës ekstreme marshuan në qytetin Çemnic, ku u verifikuan edhe akte dhune. Një grup tifozësh huliganë i bëri thirrje mbështetësve që të mbushnin rrugët pasi një 35-vjeçar gjerman mbeti i vrarë në një përleshje me disa të huaj. Grupi në fjalë, të cilit i ndalohet hyrja në stadiume, deklaroi se në këtë mënyrë dëshiron të tregojë se kush e kontrollon qytetin. Sidoqoftë, lëvizja e tyre çoi në anulimin e një koncerti të planifikuar dhe qeveria gjermane dënoi mobilizimin.

Zëdhënësi i kancelares Angela Merkel, Shtefen Zaibert deklaroi se grumbullime të tilla për të kërkuar njerëz që duken ndryshe apo kanë një etni tjetër nxit urrejtjen në rrugë dhe qeveria nuk mund ta pranojë këtë. Policia e qytetit Çemnic vlerësoi se në tërësi ishin mbledhur rreth 800 protestues dhe shtoi se, disa prej tyre u bënë autorë të veprimeve armiqësore ndaj policisë, duke hedhur shishe ndaj agjentëve, të cilët u kapën të papërgatitur. Për të vendosur qetësinë u thirrën forca policie shtesë nga Dresdeni dhe Lajpcigj. Çemnic ndodhet në Saksoni, një rajon ku partia Alternativa për Gjermaninë dhe grupi Pegida, të njohura për frymën ekstremiste dhe anti-emigrante janë jashtëzakonisht të forta./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!