Gjermani, aleatët e Merkel kërkojnë zgjedhje të reja

schedule19:23 - 28 Shkurt, 2018

schedule 19:23 - 28 Shkurt, 2018

Aleatët politikë të kancelares Angela Merkel kanë deklaruar se Gjermania duhet të shkojë sërish në zgjedhje, nëse anëtarësia e social-demokratëve nuk gjen konsensus për koalicionin e madh.

Lideri i aleatëve bavarezë të kancelares Angela Merkel, Horst Zehofer, ka deklaruar se Gjermania duhet të mbajë zgjedhje të reja nëse anëtarët e Partisë Social Demokrate votojnë kundër koalicionit të madh. 464 mijë anëtarët e SPD-së po votojnë nëse do të pranojnë vendimin e lidershipit për një bashkëqeverisje, që i jep një tjetër mandat 4-vjeçar konservatorëve të udhëhequr nga Merkel.

Sondazhet e publikuara këtë të mërkurë tregojnë një fitore të ngushtë të mbështetësve të marrëveshjes mes Merkel dhe Shulc, rreth 56 për qind. Konservatorët gjermanë, ku përfshihen CDU-ja e kancelares dhe Unioni Kristian Demokrat CSU, hynë në negociata me SPD-në vetëm pas dështimit të bisedimeve më dy parti të vogla në nëntor të vitit të kaluar.

“Nëse edhe përpjekja e dytë për një koalicion të madh dështon, atëherë duhet të mbajmë zgjedhje të reja”, ka deklaruar Zehofer në një konferencë për shtyp në Mynih, ku ka shtuar se është kundër një qeverie të vogël. Mediat gjermane bëjnë me dije se Merkel dhe krerët e partive aleate kanë në plan të takohen të enjten për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të fundit të mbetura pezull sa i takon koalicionit qeverisës. Votimet e social-demokratëve mbyllen ditën e premte dhe rezultatet pritet të dalin të dielën./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!