Gjërat Tona/ “Report” kundër Ramës- Të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë

schedule20:39 - 28 Prill, 2024

schedule 20:39 - 28 Prill, 2024

TIRANË- Copëza rrëfimesh të treguara ndër vite, ngjarje të vjetra e dënime tashmë të kryera, akuza të konsumuara, për të cilat ka folur edhe drejtësia, u shfaqën në formën e një dokumentari për Shqipërinë mbrëmjen e 21 prillit.

Një investigim i emisionit “Report”, të Rai 3, në Itali, që kishte në fokus marrëveshjen Rama – Meloni për emigrantët, në substancën e tij kishte një background denoncimesh, të huazuar nga materiale e denoncime publike të bëra në Shqipëri. Në fakt vetë emisioni ishte i ndërtuar mbi bazën e takimeve me personazhe publikë, që gazetari italian kishte zhvilluar në Tiranë.

Emisioni supozohet se nxjerr në skenë korrupsionin mes Shqipërisë dhe Italisë.  Një histori që në fakt nuk ndodh sot, por është një akuzë që hidhet nga të dy anët e Adriatikut prej afro 20 vitesh.

Edhe ky investigim i Rai3, nuk bën gjë tjetër, përveçse risjell në vëmendje debate, akuza, supozime, hamendësime, që në skenën mediatike shqiptare janë ezauruar gjatë viteve të fundit. Dhe jo vetëm në atë mediatike në fakt, pasi për disa prej tyre ka folur edhe drejtësia.

Publikimit të këtij investigimi të Rai3, i parapriu Gazmend Bardhi, që mesa duket ka pasur dijeni për atë çfarë po hulumtonin gazetarët italianë. Një denoncim publik që u duk sikur doli nga hiçi, edhe për shkak se ishte folur gati 9 vite më parë, për një çështje që as ishte në hetim dhe as nuk kishte vepër penale, pas emisionit “Report”, merr kuptim, pasi u fol për të njëjtën gjë. Flet për vëllain e kryeministrit Edi Rama, Olsi Ramën, i cili në fakt në Tiranë i është kundërpërgjigjur Gazmend Bardhit me një padi.

Dy detaje që duken disi më të reja dhe që nuk ishin diskutuar, janë:

Implikimi i supozuar i sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi dhe profesioni i tij si avokat, duke qenë se ka pasur një studio avokatie në Romë dhe thëniet e ish-shefit të Interpolit të Italisë, Fabrizio Lisi, i cili pretendon se është vënë në kontakt me një të dyshuar si kreu i trafikut të drogës, nëpërmjet Agaçit.

E para nuk ka se si të jetë një shkelje, për aq kohë sa një avokat është personi që mbron interesat e një të  akuzuari për krime të ndryshme dhe e përfaqëson atë në gjyq. Kërkon vazhdimisht pafajësinë ose dënimin e tij minimal. Ndërsa për të dytën, përveç thënieve të Lisit, nuk ka ndonjë provë konkrete, mbi të cilat mbështetet një investigim.

Por çështja që gazetarët italianë nuk i kanë shkuar deri në fund, lidhet me momentin kur Engjëll Agaçi ka marrë detyrën si sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëse ka relacione partneriteti fitimprurës. Por deri më sot nuk rezulton të jetë bërë ndonjë verifikim dhe nëse do ishte bërë dhe do kishte rezultuar implikimi, do të ishte bërë publik në emision.

Vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama , e ka quajtur dokumentarin për Shqipërinë, një episod të tmerrshëm dhe të neveritshëm. Shefi i qeverisë, beson se ky material u publikua për të sulmuar kryeministren italiane Georgia Meloni, nga ata që kundërshtojnë marrëveshjen e saj me Shqipërinë për transferimin e emigrantëve.

Edi Rama: Për momentin përpiqem të besoj se gjithsesi i gjithë kjo furi për të sulmuar Giorgia Melonin në kurriz të Shqipërisë nuk ishte një mëkat me keqbesim ndaj vendit tim dhe se edhe përfshirja e shpifjeve nga Shqipëria në Itali, (duke e përfshirë në punët e Shërbimit Publik edhe shpifjet ndaj vëllait tim kundër të cilave ai tashmë ka bërë kallëzim dhe pret fjalën e drejtësisë) ndodhi vetëm si rezultat i një lehtësie të padurueshme të qenies që gjithnjë e më shpesh në kohët e sotme fatkeqësisht pushton fuqinë fisnike të informacionit dhe e shndërron botën e së drejtës për lirinë e informacionit në një botë të shtypjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Kryeministri është ndalur edhe tek akuzat që episodi vendos mbi Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Rai3 e cilësonte atë si një avokat mbrojtës të trafikantëve të drogës, dhe i jepte këtij roli një kontekst negativ, çka për Ramën nuk ka kuptim.

 

Edi Rama: Nëse për këtë program të Shërbimit Publik një avokat penal nga një shtet ligjor, i cili si rregull nuk jeton duke mbrojtur shenjtorët, por duke mbrojtur supozimet kriminale ose kriminelët e dënuar, prandaj duhet të sulmohet sikur të ishte vetë një kriminel.

Në përfundim, kryeministri i kërkon gazetarit të Rai 3, të mos ngulmojë në gabimin e atij episodi, që Rama e quan të tmerrshëm, por thjesht të mbyllë këtë faqe të palavdishme.

Dokumentari italian, që ka në thelb një marrëveshje politike, të paktën nisur edhe nga personazhet që gazetari ka intervistuar në Tiranë, por temën e kalon edhe tek krimi i organizuar e korrupsioni. Për këtë çështje në emision kanë folur personazhe që ose janë përjashtuar nga sistemi i drejtësisë, ose janë larguar. Megjithatë janë po të njëjtët që i kanë bërë oponencë shumë ngjarjeve që në fakt janë të vjetra e janë diskutuar në dhjetëra emisione këtu në Shqipëri.

Por le të mbetemi tek dy çështjet kryesore, që Rai3 e lidh krimin me politikën në Shqipëri. Akuzat për Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit dhe sekretarin e Përgjithshëm, Ëngjëll Agaçi.

Akuzat për Olsi Ramën

Më 14 janar të vitit 2015, Policia e Shtetit në operacionin e koduar “Xibraka” prangosi 9 persona dhe sekuestroi rreth 20 kg kokainë të pastër dhe afro 400 kg përzierës. Hetimet për grupin që trafikonte kokainë nga Shqipëria në Gjermani kishin nisur në muajin mars të vitit 2014. Ishte Prokuroria gjermane që dha detajet e para për këtë çështje. Hetimet kishin filluar nga Prokuroria e Hanoverit, ndërsa ishin bërë disa kontrolle kryesisht në qytezën e Hameln, ku dhe ishin rezidentë dy persona që u arrestuan atje. Pala gjermane kishte të dhëna se grupi kriminal e merrte kokainën në vendet e Amerikës Latine dhe e trafikonte në vendet e Europës Perëndimore.

Prokuroria shqiptare tha në atë kohë se nuk e kishte ditur që në Xibrakë ndodhej një laborator droge dhe se vëzhgimet e përgjimet flisnin vetëm për një grup trafikantësh. Vetëm më 17 dhjetor të vitit 2014, drejtësia gjermane i kërkoi ndihmë Prokurorisë së Shqipërisë, e cila filloi hetimet. Gjatë 30 ditëve, u mbajtën në vëzhgim të dyshuarit që kontaktonin me disa persona nga Shqipëria, të cilët flisnin me njëri-tjetrin për shoqërimin e dy shtetasve kolumbianë, por edhe për pazaret për kokainën. Droga ishte përzier në rrobat e fëmijëve dhe një lëndë për regjien e lëkurëve të kafshëve. Ndërkaq, “mjeshtrit” kolumbianë janë shprehur për prokurorinë shqiptare se në Bogota të Kolumbisë ishin njohur me një person, që quhej Karlos, me origjinë nga Kolumbia, por me nënshtetësi holandeze. Ai e fliste mirë spanjishten dhe i kishte ofruar punë në Greqi. Ata dëshmuan se kanë udhëtuar me aeroplan nga Bogota në Lisbonë, më pas në Romë, Athinë e Janinë, nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër. Cezar Avila dhe Valther Moreno, ishin dy ekspertët kolumbianë të laboratorit të Xibrakës, të cilët po kryenin procesin kimik të nxjerrjes së kokainës në Xibrakë.

Gjykata dënoi 9 personat e arrestuar gjatë operacionit “Xibraka”, mes të cilëve edhe Ermal Hoxhën, nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha. Dënimet varionin nga 10 deri në 13 vjet burg dhe sot, pjesa më e madhe e tyre i kanë përfunduar dënimet.

Vendimi përfundimtar për këtë dosje në shkallën e Parë u shpall në 11 korrik 2017 ku të pandehurit u dënuan në total me 104 vite burg. Sipas vendimit të shpallur në Apel, të pandehurit Genci Xhixha dhe Saimir Batku, dy të dënuarit më masë më të rëndë në Shkallën e Parë, me 13 vite burg, do t’u duhet të vuajnë nga 8 vjet e 8 muaj burg. Për Ermal Hoxhën, zbatimi i uljes së gjykimit të shkurtuar ia ka çuar dënimin përfundimtar në 6 vjet e 8 muaj burg. Dënime më të zbutura kanë marrë edhe të pandehurit e tjerë, mes të cilëve edhe dy shtetasit kolumbianë Cesar Avilla dhe Valter Moreno, të cilët kryenin procesin kimik të kokainës në laboratorin e Xibrakës.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 9 vite nga ajo ngjarje, ashtu sikurse disa ditë pas operacionit edhe në ditët e sotme opozita shqiptare përsërit të njëjtat akuza, duke e lidhur Olsi Ramën me një nga të dënuarit e asaj çështjeje, Genci Xhixhën.

Në vitin 2017, ishte Sali Berisha që sulmoi Olsi Ramën në lidhje me çështjen e Xibrakës. Ai hodhi akuza të forta ndaj vëllait të kryeministrit Rama, duke thënë se kishte fakte që provojnë se ai ka kaluar kufirin me makinën e drogës të grupit të Xibrakës. Ai shprehej se këto prova i kishte siguruar nga denoncuesi dixhital.

Sali Berisha: A doni ju t’ju tregoi se vëllai i tij kalon kufirin, i kam këtu fotografitë e TIMS-it, nkalon kufirin me makinën e drogës të grupit të Xibrakës? Makinë e përshtatur për të fshehur kokainën. Se ç’ka Llalla në dosje unë nuk e di, por unë kam diçka në dosjen time nga qytetari dixhital. E ka edhe Edi Rama, pse nuk del të thotë jo? Ka kaluar disa herë me atë makinë.   

Megjithatë, këto prova të pretenduara nuk u bënë publike asnjëherë dhe nuk u bë një kallëzim penal në lidhje me atë që pretendohej. E njëjta çështje u soll në vëmendje kohët e fundit nga ish-kreu i deputetëve të PD-së, Gazmend Bardhi. Ai thotë se “personi i panjohur” në laboratorin e kokainës në Xibrakë mund të ishte Olsi Rama. Në emisionin investigativ “Report” të Rai 3, gazetari Giorgio Mottola është ndalur edhe tek akuzat që i janë bërë Olsi Ramës.

Report: Disa hije arrijnë deri tek vëllai i kryeministrit Edi Rama. Nga dokumentet e hetimeve të prokurorisë në 2016-ën që emisioni “Report” i publikon ekskluzivisht,  më poshtë rezulton se vëllai i kryeministrit shqiptar ka përdorur për lëvizjet e tij të njëjtën makinë që ishte në shërbim të një karteli të narko-trafikut shqiptar, persona që janë tashmë gjykuar dhe që kanë qenë në prani direkte të Olsi Ramës gjatë disa kontrolleve të policisë.  Nga ky hetim lindi një proces gjyqësor ku narko-trafikantët janë dënuar ndërsa Olsi Rama as të paktën nuk u mor në pyetje. Emri i tij, madje është fshirë nga dosjet gjyqësor.

Por kjo çështje, si për koincidencë u denoncua pothuajse në të njëjtën formë, me dokumentet e pretenduara në emisionin italian, edhe nga Gazmend Bardhi.  Vetë Olsi Rama si dhe vëllai i tij kryeministër i mohuan akuzat duke paralajmëruar një padi për shpifje në gjykatë për Bardhin, ashtu sikurse edhe ndodhi.

Më 2 prill 2024, Olsi Rama, depozitoi një kallëzim penal në SPAK për deklaratat e Gazmend Bardhit. Sipas tij, me këtë padi, ose ai vetë do të shkonte në burg si trafikant, ose Bardhi duhej të dënohej për shpifje.

Olsi Rama: Troç fjala këtu s’mund të ketë dy të vërteta dhe ose unë duhet të shkoj në burg si trafikant ose Gazmend Bardhi duhet të ndiqet penalisht dhe dënohet si fabrikues provash në dëmin tim, të fëmijëve të mi, të klubit të futbollit “Partizani”, të miqve të mi dhe të njohurve të mi.

Uroj shumë që SPAK-u, tek i cili bashkë me plot të tjerë kam edhe unë besim, si diçka ndryshe në zullumin kaq vjeçar të drejtësisë, të mos e çojë kallëzimin tim në koshin e madh të këtij normaliteti absurd, që po shkatërron fare bazën elementare të besimit tek fjala dhe të vërtetat e këtij vendi.

Në kallëzimin e tij, Olsi Rama thotë se shpifja është bërë për një fabrikim pervers me qëllim manipulimin e opinionin publik, për motive të dobëta politike.

Olsi Rama: Shoqëria duhet të dijë të vërtetën dhe duhet ta mësojë nga drejtësia. Shqipëria s’mund të ketë një kryeministër që e ka vëllain trafikant droge që lëviz i lirë nëpër Tiranë. Sikur edhe vetëm një shqiptar i ndershëm të gënjehet nga kjo maskaradë dhe ta besojë këtë çmenduri, të cilën as vetë sharlatani që e ka hedhur në pazarin e llafeve nuk e besoj, kjo mjafton që drejtësia të mos heshtë duke e nënvleftësuar peshën e kësaj poshtërsie si as e para dhe as e fundit.

Prokuroria e Posaçme nuk ka regjistruar kallëzimin e Olsi Ramës për akuzën e kallëzimit të rreme ndaj Gazmend Bardhit, pas akuzave publike të këtij të fundit për përfshirje të vëllait të kryeministrit në grupin e trafikut të kokainës se Xibrakës. SPAK e argumenton këtë mos regjistrim me faktin se sipas tij Gazmend Bardhi deri më tani nuk ka depozituar ndonjë kallëzim në drejtim të Olsi Ramës. Prokurori i SPAK, Elvin Gokaj thotë se Olsi Rama ka depozituar kallëzim penal ndaj Gazmend Bardhit për kallëzim të rremë në datë 2 prill 2024.

Por në Prokurorinë e Posaçme nuk mund të nisë asnjë procedim për këtë kallëzim, pasi fjalët e Bardhit duket se kanë qenë vetëm fjalë. Gazmend Bardhi në fakt ka paraqitur në SPAK vetëm një copë letër ku sipas tij mendon se SPAK duhet të fillojë hetim penal për këtë çështje. Duket diçka e vogël, por në fakt ndryshimi është i madh. Nëse zoti Bardhi do të kishte bërë padi penale në SPAK, Prokuroria do ishte e detyruar që të hapte menjëherë procesin hetimor, gjatë të cilit, ato që zoti Bardhi i quan indicie, do të cilësoheshin si fakte. Dhe në fund të hetimit, nëse do rezultonin për prokurorinë si reale, do të hapej hetim ndaj Olsi Ramës. Por në kushtet kur Olsi Rama ka bërë padi penale për shpifje, nëse indiciet e zotit Bardhi do rezultonin të pavërteta, atëherë numri dy i Foltores do përballej me akuzë penale. Gazmend Bardhi në së paku dy raste ka këmbëngulur se ndaj Olsi Ramës ka bërë padi penale.

Por siç edhe shihet nga dokumenti dhe nga reagimi i SPAK, Bardhi ka gënjyer. Sigurisht në këtë rast siç edhe thotë SPAK ai nuk mund të hetohet për shpifje ndaj Olsi Ramës.

Pasi SPAK zbuloi se Gazmend Bardhi nuk ka bërë kallëzim penal ndaj vëllait të kryeministrit, Edi Rama ka reaguar për blofin e radhës së numrit dy të foltores.

Edi Rama: “Kam bërë kallëzim” po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore! Hajde hajde ç’vete!

Sipas kryeministrit këto spërdredhje me të vërtetën, Bardhi i bën për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë.

Edi Rama: Kjo historia e kallëzimit të pakallëzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallëzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë!

Kreu i qeverise e akuzon Bardhin për sulme ndaj Shqipërisë përmes të huajve dhe se me gënjeshtrat e tij ka furnizuar gazetaret italianë të Rai 3. Gënjeshtra që shumë shpejt do dalin zbuluar kudo, thotë Rama.

Edi Rama: S’duhet të jetë burrë se s’ka mundësi, është thjesht çingije që ngre dorën duke kërcyer prehër më prehër sikur ka gur për të hedhur. Po s’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës! Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.

Tashmë pritet të flasë drejtësia, ashtu sikurse edhe foli për rastin e Xibrakës, në vitin 2017. Por çfarë u paraqit si provë e re në dokumentarin e “Report”, në Itali, në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një akuzë e vjetër, e bërë nga opozita në Shqipëri prej disa vitesh, që nuk u provua asnjëherë.

Akuzat për Ëngjëll Agaçin

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, në reportazhin e emisionit italian “Report” në Rai 3, përmendet si njeriu kyç në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët. Por përveç këtij momenti, Agaçi cilësohet edhe si “ish-avokat i eksponentëve kryesorë të mafies shqiptare në Itali, në qendër të një tentative të bujshme për të korruptuar kreun e Interpolit të Romës”. Në emisionin e transmetuar më 21 prill, thuhej ndër të tjera se, në vitin 2016, disa nga klientët e Agaçit përfunduan në qendër të një polemike ligjore. Ndërsa thuhet gjithashtu se Ëngjëll Agaçi ka qenë konsulent i kreut të Interpol General Lisi, oficer ndërlidhës mes Tiranës dhe Romës, në luftën kundër trafikut të drogës. Lisi duhej të menaxhonte një operacion pronash të paluajtshëm që kishte të bënte me zotërimin e disa tokave për fondacionin e tij dhe iu drejtua avokatit Agaçi, i cili e vuri në kontakt me Artur Sheun, i cilësuar si kreu i trafikantëve të drogës në kontakt me “Cosa Nostran” dhe “Sacra Corona Unita”.

Agaçi ka paralajmëruar se do bëjë padi për shpifje ndaj emisionit duke theksuar se e ka lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë.

Ëngjëll Agaçi: Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet.

E me gjithë këto akuza të hedhura ndaj tij, gazetari italian që i kishte nisur edhe pyetjet Agaçit përmes e-mailit, ka preferuar që emisionin ta publikojë pa përgjigjet e tij, që në fakt i ishin kthyer në formë elektronike më datë 5 prill 2024.

Por më 24 prill, emisioni “Report” në “Rai3” ka publikuar përgjigjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi. Kjo ndodhi pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili theksoi se, gazetari italian, me një paturpësi epike nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të Agaçit për këtë media.

Agaçi është përgjigjur për dy nga çështjet kryesore. E para lidhet me rolin e Agaçit në dhurimin e një sipërfaqeje prej 30 mijë metrash katrorë në bregdetin e Vlorës nga narkotrafikanti Artur Shehu për gjeneralin në pension të Interpolit, Fabrizio Lisi. Ky i fundit pranoi në emisionin “Report” se ishte Agaçi që ia prezantoi Shehun dhe se ai nuk kishte dijeni për të shkuarën e tij.

Po në përgjigjet e tij, Agaçi thekson se Shehu nuk ka qenë kurrë klienti i tij. Agaçi është përgjigjur edhe për marrëveshjen e Rama-Melony, ku ka theksuar se ka pasur një rol edhe në marrëveshjen për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë.

PËRGJIGJJA E PLOTË E ENGJËLL AGAÇIT:

Ëngjëll Agaçi: Në vëmendje të personelit redaktues të “Report”. Po lexoj se objekti i investigimit tuaj gazetaresk ka të bëjë me Protokollin për emigrantët, të përcaktuar midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, i miratuar më pas me ligj nga parlamentet përkatëse dhe i kaluar në testin e kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Të them të drejtën, nuk e gjej lidhjen e sa më sipër me aktivitetin tim të mëparshëm profesional si avokat në Itali, i cili përfundimisht ka përfunduar pak para datës 15.09.2013, ditë në të cilën pata nderin të merrja detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë Shqiptare, post që e mbaj edhe sot.

Në lidhje me hetimin tuaj, sinqerisht nuk shoh ndonjë interes publik për të hetuar veprimtarinë time personale dhe profesionale në të kaluarën, e cila është krejtësisht e palidhur dhe e parëndësishme me atë aktuale. Mbi të gjitha, nga thelbi i pyetjeve tuaja vërej se nuk është bërë një verifikim i kujdesshëm i burimeve tuaja. Sigurisht që këto janë vëzhgime që do të vlerësohen me kujdes nga redaksia e sjellshme siç tregohet më sipër. Në çdo rast, për shkak të funksionit që mbaj dhe për transparencë dhe vërtetësi më të madhe, ofroj disponueshmërinë time për t’iu përgjigjur të gjitha pyetjeve tuaja.

 Report: Është e vërtetë që keni luajtur rolin e ndërmjetësit në negociatat për shitjen e 30 mijë hektarëve tokë nga Artur Shehu te fondacioni Eftimiadi, që u zhvilluan më 28 shkurt 2015?

 Ëngjëll Agaçi: Më datë 31.03.2012, si Jurist, mora përsipër një detyrë formale nga Gjykata e Triestes, në emër të Kuratorit të atëhershëm, për të ndjekur ngjarjet dokumentare dhe materiale të Amanetit të Vërtetë të të ndjerit Z. Salvatore Eftimiadi. E kam ndërprerë veprimtarinë në fjalë pasi kam marrë funksionin institucional të sipërpërmendur dhe ia kam komunikuar kuratorit fillimisht verbalisht dhe më pas komunikuar zyrtarisht edhe nga Studio Juridike, pjesë e së cilës kam qenë.

 Report: A është e vërtetë që në ushtrimin e profesionit tuaj si avokat në Itali keni kryer funksione asistence ligjore dhe/ose konsulence në favor të shumë shtetasve shqiptarë të përfshirë në procedimet penale për trafik droge në gjykatat italiane?

 Ëngjëll Agaçi: Në veprimtarinë time të gjatë profesionale si avokat në Itali kam asistuar shumë shtetas italianë, padyshim edhe shqiptarë dhe komunitete të tjera të huaja në Itali. Në disa nga procedurat kam ndihmuar ish-klientët e mi të përfshirë në krimet e parashikuara me Dekretin Presidencial 309/90 (Ligji për Narkotikët).

 Report: Konkretisht, a keni dhënë ndihmë ligjore dhe/ose këshilla për Renardo Nallbanin, Alxi Nallbanin, Dritan Nikollin dhe Artur Shehun?

 Ëngjëll Agaçi: Ju sjell në vëmendje se legjislacioni italian dhe ai europian për mbrojtjen e të dhënave personale më pengon të zbuloj emrat e ish-klientëve të mi, përveç me pëlqimin e tyre. Në çdo rast, është e drejta dhe e drejta juaj të keni akses në dosjet e gjykatave vendore për kontrollet e nevojshme. Por, mund të përjashtoj absolutisht që mbiemri i fundit të ketë qenë një ish-klient i imi.

 Report: Keni pasur një rol konsulence apo ndonjë rol tjetër në hartimin e Protokollit midis Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët?

 Ëngjëll Agaçi: Është pjesë e detyrave të mia aktuale të shikoj të gjitha dokumentet që i paraqiten Këshillit të Ministrave. Pra, edhe sikur të mos isha pjesë e grupit të negociatorëve për hartimin e Protokollit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, sigurisht që kam dhënë kontributin tim modest. Përzemërsisht, Tiranë, 5 Prill 2024.

Në vitin 2022, Partia Demokratike i drejtohej SPAK-ut me një pyetje nëse ka nisur hetimet për socialistin Ëngjëll Agaçi. Në një deklaratë nga selia blu, Arbi Agalliu tha se akuzat e bëra nga PD po faktohen çdo ditë.

PD: “Ish-gjenerali i Guardia Di Finances, Fabrizio Lisi, i arrestuar në Itali, ka qenë pjesë e Guardia di Finanzia në kohën kur vendi u mbulua nga kanabisi dhe shifrat manipuoheshin. Dhe për këtë, me ndihmën e Sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, ai ka përfituar 3 hektarë tokë në bregdetin e Vlorës. Pra, kësaj skeme kriminale i ka shërbyer sekretari i përgjithshëm i Edi Ramës, Ëngjëll Agaçi. Sot ish-gjenerali i Guardia Di Financës, Fabrizio Lisi, dhe ish-ministrt i Brendshëm, Saimir Tahiri janë në burg”. Pra, edhe ky fakt, që u soll si i ri në investigimin e Rai 3, ishte një akuzë e vjetër e Partisë Demokratike, që nuk u provua asnjëherë.

Ëngjëll Agaçit i është akorduar titulli “Kalorës i Meritës” i Republikës së Italisë, dekorata më e lartë për italianët. Agaçi, dikur avokat në Itali që prej vitit 2013 është Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në Shqipëri. Presidenti italian, Sergio Mattarella, që në fakt është edhe një ish-gjyqtar kushtetues, e vlerësoi me titullin Kalorës i Meritës i Republikës së Italisë.

Por duket se ky detaj u ka shpëtuar gazetarëve të emisionit “Report”, që duke nxituar të lidhin personazhet e emisionit të tyre me politikën në Shqipëri, kanë harruar të verifikojnë ato që kanë ndodhur në vendin e tyre.

Në një lojë pokeri, blofi është skema që përdoret rregullisht nga lojtarët. Dikush që e beson tërhiqet, dikush tjetër zgjedh të vazhdojë, ose për të fituar, ose thjeshtë për të zbuluar të vërtetën. Edhe emisioni që u shfaq në Rai 3 duket si një lojë pokeri, ku janë përdorur karta të vjetra dhe ku blofi është luajtur edhe më parë.

Nga verifikimi i të gjitha fakteve të përdorura në emision, nuk del në skenë asnjë provë e re me natyre kriminale. Të gjitha dëshmitë e dokumentet e shfaqura, mund të jenë produkt i një tjetër skenari, të një tjetër natyre, por ky nuk është objekt i këtij emisioni./ abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!