Korrieri: Shkoni atje. Sigurisht që e njihni njëri-tjetrin dhe ia dorëzoni paratë… Pastaj i shkrova për t’i thënë se paratë ishin dorëzuar dhe kaq ishte. Fola për babanë tim, si ishin fëmijët. Nuk kisha nevojë të diskutoja për paratë. Punonjësit e agjencisë së udhëtimit e dinin se ato ishin për të. Të vetmet fjalë që u thanë ishin: ‘Ja ku është, është për të’, pastaj paratë u numëruan dhe kaq…
Në një botë ku çdo transaksion duhet të regjistrohet, ku çdo bankë kërkon identitet dhe çdo shumë e madhe duhet të justifikohet, ekziston një sistem që nuk lë asnjë gjurmë.
Nuk ka formularë, nuk ka llogari bankare, nuk ka asnjë provë në letër dhe megjithatë paratë lëvizin. Nga një qytet i qetë në Zvicër, në rrugët e zhurmshme të Tiranës, mijëra, ndoshta miliona euro transferohen çdo muaj.
Jo përmes bankave, jo përmes sistemit financiar, por përmes një rrjeti paralel të padukshëm. Një telefonatë, një emër i koduar dhe një shumë parash që shfaqet diku tjetër.
Pa kaluar kurrë kufirin. Hetimet zbulojnë një skemë që funksionon jashtë çdo kontrolli shtetëror. Një mekanizëm që i shpëton ligjit dhe ushqen ekonominë e krimit.
Në qendër të këtij rrjeti janë disa emra, disa numra telefoni dhe një rol i qartë: Të marrin para në një vend dhe t’i dorëzojnë në një tjetër kundrejt një përqindjeje. Gjashtë për qind. Kjo është historia e një sistemi që nuk duhet të ekzistojë por që vazhdon të funksionojë. Një sistem që njihet me një emër të thjeshtë. Hawala.
ZBULIMI I GRUPIT
Shtatorin e vitit 2024 një klan kriminal shqiptar u dyshua se kishte pastruar paratë e drogës për vite me radhë përmes një agjencie udhëtimesh në Luzernë të Zvicrës. Në Shqipëri, SPAK tani ka sekuestruar disa prona dhe shuma të mëdha parash nga dy të dyshuar si drejtues të këtij grupi, Ervis Ferizaj dhe Përparim Kalbaj. Akuza: Ka dyshime të arsyeshme se kanë origjinën nga aktivitete kriminale.
Zyra e Prokurorit Federal zviceran arrestoi gjashtë të dyshuar me dyshimin se ishin pjesë e një organizatë kriminale dhe akuzoheshin për pastrim parash e trafik droge. Katër prej këtyre ishin të lidhur me një agjenci udhëtimesh në Luzernë. Ndërsa një i pestë punonte si korrier parash dhe shofer. Duke përdorur të ashtuquajturin sistem bankar Hawala, ky klan dyshohet se ka transferuar miliona nga Zvicra në Kosovë dhe Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e vendimit të prokurorëve të datës 05.10.2023 për ndarjen e procedimit penal nr.49 viti 2019, si dhe mbi bazën e veprimeve të mëtejshme hetimore, ka regjistruar procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”. Lidhur me këtë procedim penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore, nga të cilat kanë rezultuar rrethanat si më poshtë: Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.49 viti 2019 janë siguruar të dhëna dhe burime prove, të cilat kanë krijuar dyshime se disa shtetas shqiptarë kanë zhvilluar aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Zvicrës, duke organizuar importimin në Zvicër të ngarkesave të lëndëve narkotike të llojit kokainë dhe heroinë, me qëllim tregtimin më pas të këtyre sasive të lëndëve narkotike. Hetimet kanë treguar se përveç aktiviteteve të trafikimit dhe të tregtimit të lëndëve narkotike në territorin e Zvicrës, personat e përfshirë në kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale kanë realizuar transferime të parave që burojnë nga aktivitetet kriminale nga Zvicra në Shqipëri.
Nga hetimet e kryera u krijuan dyshime për ekzistencën e një strukture kriminale, që zhvillonte aktivitetin në drejtimin Zvicër-Shqipëri, e cila ishte në gjendje për të transferuar të ardhurat e përfituara nga tregtimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike nga territori zviceran në atë shqiptar, nëpërmjet mekanizimit të njohuri si sistemi “Hawala”.
Sipas hetimeve të SPAK, ky mekanizëm i dërgesave të parave është menaxhuar nga Ervis Ferizaj, me banim në Tiranë. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me zyra të transfertave të parave të vendosura në zonën veriore të Konfederatës Zvicerane, duke mundësuar transferimin e shumave të ndryshme monetare nga Zvicra për në Shqipëri, kundrejt përfitimit në masën 6% të shumave monetare të transferuara. SPAK thotë se Ervis Ferizaj përveç aktivitetit të mësipërm dyshohet se është përfshirë edhe në menaxhimin në distancë të veprimtarisë së tregtimit të lëndëve narkotike, veprimtari të cilën e realizonte nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij.
Prokuroria e Posaçme
Në datën 27.05.2021 midis Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Kantonit Luzern të Konfederatës së Zvicrës, u krijua skuadra e përbashkët hetimore. Në vijim, me shtojcën e marrëveshjes së nënshkruar në datën 28.04.2023, Prokuroria e Kantonit Luzern u zëvendësua me Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës. Nga Prokuroria e Posaçme dhe autoritetet e tjera të përfshira në skuadrën e përbashkët hetimore janë kryer një sërë veprimesh hetimore, që janë kryer gjatë hetimeve paraprake për procedimet penale të filluara nga secili prej autoriteteve në mënyrë paralele, si dhe në vijim gjatë hetimeve të skuadrës së përbashkët hetimore në bashkëpunim midis autoriteteve të përfshira. Nga veprimet e deritanishme hetimore që janë kryer në bashkëpunim me autoritetet zvicerane të drejtësisë, që bëjnë fjalë për faktet penale të ndodhura në Shqipëri dhe në Konfederatën e Zvicrës, janë mbledhur dhe siguruar provat e nevojshme që tregojnë kryerjen e aktiviteteve të kundraligjshme.
Një ndër aktivitetet është edhe shpërndarja e parave në Shqipëri nga kushërinjt, Ervis Ferizaj dhe Burim Ferizaj. Gjatë hetimeve për procedimin penal nr.49 viti 2019 është autorizuar përgjimi i bisedave dhe komunikimeve telefonike për disa persona, që dyshohet se mund të jenë përfshirë në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe të personave të tjerë që mundet të komunikonin apo përcillnin komunikime me personat e dyshuar.
Nga përgjimet e realizuara është konstatuar se Ervis Ferizaj, zhvillonte biseda me interes për hetimet. Nga data 25 prill 2020 dhe në vijim u autorizua përgjimi i bisedave dhe komunikimeve telefonike të tij. Gjatë periudhës nga muaji prill 2020 dhe në vazhdim, Ervis Ferizaj ka kryer një sërë bisedash telefonike, në përmbajtjen e të cilave ai komunikon me persona të tjerë për dërgimin dhe transferimin e shumave monetare nga Zvicra në Shqipëri dhe më pas shpërndarjen e tyre personave që u janë dërguar, kundrejt marrjes së përfitimeve monetare në masën 6% të shumës së parave që transferohen nëpërmjet këtij mekanizmi.
Në një nga bisedat e përgjuara mes Ervis Ferizajt dhe një personi të paidentifikuar, ky i fundit nuk shprehet qartë se për çfarë ka nevojë nga Ferizaj, pasi tregohet i kufizuar në bisedë dhe përpiqet që të lërë të kuptohet kërkesën e tij te bashkëbiseduesi. Biseda zhvillohet në kohë pandemie, kur pothuajse e gjithë bota ishte paralizuar për shkak të Covid 19 dhe nuk kishte asnjë fluturim.
Biseda e përgjuar
Ervis Ferizaj: O Arjan…
Personi X: O vlla, ça po bën?
Ervis Ferizaj: Hë vlla, ça bone, si ma kalove?
Personi X: Mire, ti si je?
Ervis Ferizaj: Për zotin mire, mirë mo qetësi.
Personi X: Po hiç o ça do bëjmë, nuk e di, desha të takoja çik po s’kemi mundësi të takohemi…
Ervis Ferizaj: Epo na i ka pre lëvizjet, s’lëvizim dot nesër.
Personi X: Po ku di gjë unë, desha të flisja një çik, e ke parasysh, jo për kshu se, s’është problemi, po më kupton…
Ervis Ferizaj: T’i bësh nonji gjo lartë ti ëëë? Po të flas me Papin e, ç’a t’u desh, sa t’u desh…
Personi X: Të shkruaj me Burimin unë?
Ervis Ferizaj: Po mo shkruaj sa. Shkruj me Burimin, sa të duhen edhe… A më kupton edhe a do me lek të kthyme, që me e thy, a ke më tha me e thy. A më kupton?
Personi X: Po prandaj po them, të shkruaj atje…
Ervis Ferizaj: Shkruaj me Burimin ti, ta kuptojë Burimi ça duhet edhe flas unë me Papin.
Personi X: Okej u bë.
Ervis Ferizaj: Hiç pa merak, fol i her me Burimin.
Personi X: Hajde vlla, okej.
Ervis Ferizaj: Hajd se ju të dy ja dini gjuhën njëri tjetrit më kollaj
Sipas SPAK kjo bisedë është me vlerë për të provuar faktin se Ervis Ferizaj e orienton bashkëbiseduesin që të komunikojë me një person me emrin Burim, që nga hetimet është identifikuar se është shtetasi Burim Ferizaj, si dhe konfirmon që do të flasë me Papin, që nga hetimet është identifikuar se është shtetasi Përparim Kalbaj, për veprimet e mëtejshme. Nga hetimet e mëvonshme është konfirmuar fakti se shtetasit Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj janë bashkëpunëtorë të shtetasit Ervis Ferizaj në kryerjen e veprimtarisë së tij kriminale.
Pra gjithçka duhet është një numër telefoni i vënë në përgjim. Disa biseda të zakonshme dhe në fund del një skemë që çon hetuesit drejt një sistemi global të pastrimit të parave: Hawala.
ÇFARË ËSHTË HAWALA
Hawala nuk është bankë. Nuk është kompani. Është besim dhe fshehtësi.
Është një sistem informal, që përdoret për transferimin e parave në mënyrë informale nga njëri vënd në tjetrin, i cili mundëson dërgimin e parave nga dërguesi të marrësi, duke iu shmangur detyrimeve ligjore për raportimin e transanksioneve, si dhe duke iu shmangur detyrimeve ligjore për identifikimin, regjistrimin e klientëve, si dhe verifikimin e burimit të ligjshëm të parave që transferohen. Si rrjedhim, personat që transferojnë para në këtë mënyrë iu shmangen edhe verifikimit dhe kontrolleve të agjencive të zbatimit të ligjit për transfertat e parave që kryejnë, duke i kryer transfertat e tyre në mënyrë të fshehtë dhe duke fshehur burimin e parave që transferohen.
Agjentët që marrin pjesë në sistemin Hawala pranojnë shuma monetare në një vend tjetër, në rastin konkret në Luzern të Zvicrës dhe informojnë agjentin tjetër dhe bashkëpunëtorin e tyre në vendin tjetër, në rastin konkret në Tiranë, për derdhjen e shumave monetare. Në momentin e depozitimit të parave personat dërgues të parave japin një fjalë të koduar në mënyrë që transferta të adresohet te personi i duhur në momentin që paratë do të tërhiqen në vendin tjetër. Personi dërgues informon personin pritës të parave, i cili paraqitet te agjenti në vendin pritës, pra në Tiranë dhe tërheq shumën e parave që dërguesi ka depozituar në vendin dërgues, në Luzern.
Nëpërmjet këtij sistemi informal të pagesave bëhet e mundur “transferimi i parave” nga dërguesi të pritësi i parave pa qenë e nevojshme që të kryhet transferimi në mënyrë fizike i parave dhe pa qenë e nevojshme kryerja e transfertave bankare. Tërheqja e parave bëhet e mundur në një kohë të shpejtë dhe për kryerjen e këtij shërbimi klientët që dërgojnë apo që marrin paratë kanë detyrimin që t’u paguajnë agjentëve të sistemit Hawala komisionin përkatës për transferimin e parave, që i korrespondon një përqindje e caktuar e parave që transferohen. Agjentët Hawala punojnë me një lloj “sistemi depozitimi” të parave, që do të thotë se agjenti (A) ka një depozitë te agjenti (B) dhe e anasjellta. Në këtë mënyrë mundësohet që paratë të transferohen nga shtete të ndryshme pa qenë e nevojshme transferimi fizik i tyre. Agjentët gjatë veprimtarisë së tyre bëjnë edhe transferimin fizik të parave, sipas nevojave dhe kapaciteteve të tyre financiare, me qëllim disponimin e sasisë së nevojshme të parave në gjendje cash për të bërë pagesat, por koha e transportit fizik të parave nuk kushtëzon kryerjen e transankioneve ndaj klientëve të tyre.
Ky sistem informal mundëson transferimin e parave në një kohë të shpejtë dhe njëkohësisht shmang raportimin dhe kontrollin e origjinës së parave, pasi agjentët nuk zbatojnë dispozitat ligjore dhe nënligjore për regjistrimin dhe identifikimin e personave dërgues dhe marrës, nuk zbatojnë dispozitat ligjore dhe nënligjore për verifikimin e burimit të ligjshëm të parave që transferohen, nuk zbatojnë rregullat për shumat tavanë të transfertave që mundet të transferohen.
Njëkohësisht, zbatimi i këtij sistemi informal të transferimit të parave shmang raportimin e detyrueshëm të agjentëve që realizojnë transfertat e parave te autoritetet përgjegjëse për kontrollin e transfertave të parave, identifikimin dhe kontrollin e veprimeve financiare të personave të përfshirë, si dhe verifikimin dhe kontrollin e burimit të parave që transferohen.
Pra, një person që dëshiron të dërgojë para nga Luzerna në Tiranë, do të kontaktojë një të ashtuquajtur hawaladar. Ky është një ndërmjetës joformal parash që shpesh drejton një biznes të ligjshëm, siç është një agjenci udhëtimesh, restorant ose dyqan. Paratë dorëzohen në cash. Hawaladari i jep dërguesit një kod pagese, i cili më pas i jepet marrësit në vendin e destinacionit. Njëkohësisht, hawaladari nga Luzern kontakton partnerin e tij të biznesit në Tiranë, i cili, pasi merr kodin e pagesës, ia paguan paratë marrësit në monedhën vendase, shpesh në të njëjtën ditë.
SI FUNKSIONON RRJETI
Një kod, një telefonatë dhe paratë shfaqen në një qytet tjetër. Pa kaluar kurrë kufirin.
Në rastin konkret, shoqëria “Raci Travel” ka shërbyer si agjent i sistemit Hawala në Luzern, në Zvicër, ndërsa Ervis Ferizaj ka shërbyer si agjent në Tiranë. Nëpërmjet këtij mekanizmi informal të transferimit të parave është bërë e mundur që të transferohen nga Zvicra në Shqipëri shuma monetare të konsiderueshme, të cilat kanë burimin dhe origjinën e tyre nga aktiviteti i kundraligjshëm i tregtimit të lëndëve narkotike.
Dallimet midis hawaladarëve zgjidhen më vonë, si për shembull nëpërmjet transaksioneve tregtare ose pagesave të ndara, të cilat shpesh nuk mund të gjurmohen. As marrësi dhe as dërguesi nuk kanë nevojë të identifikohen. Nuk ka fatura ose prova zyrtare dhe për këtë arsye vështirë se ka ndonjë pistë për autoritetet.
Megjithatë, muaj të tërë mbikëqyrjeje zbuluan aktivitetet e klanit shqiptar. Çelësi i kësaj ishte agjencia e udhëtimit në Luzernë, e cila shërbente si një zyrë qendrore për transfertat informale të parave. Pamjet e kamerave tregonin korrierë parash që linin ose merrnin vazhdimisht shuma të mëdha parash atje. Bisedat telefonike dhe regjistrimet audio gjithashtu ofruan prova inkriminuese. Bisedat zbuluan se personat e përfshirë diskutonin për shuma të mëdha parash, koordinonin kohën e dorëzimit të parave dhe e përdornin agjencinë e udhëtimit si një pikë qendrore kontakti.
Në një bisedë të përgjuar që i përket datës 13 maj 2020, një person me emrin Juli, i cili shpjegon se ka bërë edhe punë të tjera të mëparshme, kërkon të bisedojë me Ervis Ferizaj për transport të shumave monetare nga Anglia në Shqipëri. Në përmbajtjen e bisedës Ferizaj pohon se mund të realizojë transfertën e parave, duke thënë se deri në 2 milion e bën, por jo nga Anglia, vetëm nga Zvicra. Ervis Ferizaj pohon gjatë bisedës se ka punuar deri para një jave nga momenti i bisedës dhe se në momentin e bisedës nuk ka pasur më shuma monetare gjendje.
Biseda e përgjuar
Ervis Ferizaj: Po Visi jam….
Juli: Ç’a bën vlla, si je ?
Ervis Ferizaj: mirë për zotin, rehat…
Juli: Shyqyr, desha me të taku njëherë, të të pyesja për diçka, se kena pas bo nja dy gjona bashkë.
Ervis Ferizaj: Po pra, po për momentin e kemi mbyll lart.
Juli: I keni mbyll krejt eeee?
Ervis Ferizaj: Jena bosh njëherë poshtë.
Juli: Po pra, po unë desha me të pyet për punën e Anglisë, a kemi ndonjë opsion?
Ervis Ferizaj: Po si me thënë, duhet me prit nja dy javë, sa të hapen kufijtë, jena krejt zero, se kemi punu deri para një jave, tashi na kanë mbaru komplet, skena mo.
Juli: Po gjithsesi, të ishim taku se bëhet fjalë për shumë prandaj, thashë të kisha pyet, të ishim taku nga afër.
Ervis Ferizaj: Edhe shumë me qenë nuk ndryshon ndonjë gjë, a me kupton apo jo, nuk ka ndonjë ndryshim.
Juli: Po a mun e bën a jo për dy javë, për dy javë okej, po ta di të paktën?
Ervis Ferizaj: E bëj deri në 2 milion, e bëj pa merak.
Juli: Për deri aty e desha un, po…..
Ervis Ferizaj: E bëj.
Juli: E bën eee, edhe prej Anglie eee?
Ervis Ferizaj: Jo prej Anglie jo, vetëm prej Zvicrës, e kam hëngër prej Anglie…
Juli: Jo për Angli, jam tu thon unë e kam për punë të Anglisë.
Ervis Ferizaj: Jo andej fare….
Sipas SPAK, në këtë bisedë konfirmohet mekanizmi i skemës së transferimit të parave nëpërmjet sistemit Hawala, sipas të cilës shumat monetare depozitohen në Zvicër dhe merren në Tiranë pa u kryer transferimi apo transporti fizik i parave që dërgohen. Por merret vlera ekuivalente nga gjendja cash e parave që disponon Ervis Ferizaj. Transporti fizik i shumave monetare është kryer në mënyrë të organizuar nga Ferizaj në një kohë tjetër të mëvonshme dhe në këtë mënyrë ai siguronte edhe gjendjen cash të parave, për t’u përdorur për episode të tjera.
Duke qenë se në periudhën kur është zhvilluar biseda ka qenë periudha e pandemisë Covid 19, kufijtë shtetërorë kanë qenë të mbyllur dhe lëvizjet kanë qenë të kufizuara. Për këtë arsye Ervis Ferizaj është shprehur në bisedë se ishte “zero”. Ferizaj ka biseduar edhe me persona të tjerë, të cilëve iu shpjegon se nuk ka shuma monetare në gjendje cash në Tiranë, për shkak të bllokimit të lëvizjeve.
Një tjetër bisedë e përgjuar është ajo e datës 29 prill 2020, mes Ervis Ferizajt dhe kushëririt të tij, Burim Ferizaj.
Biseda e përgjuar
Burim Ferizaj: Hiç tashi jam tu ik New York. Dhe 21 e 200 per 20 poshtë.
Ervis Ferizaj: Okej…
Burim Ferizaj: Në 12 e 40 të jem aty,
Ervis Ferizaj: Epo mire dhe çoja pastaj direkt atij gjermanit, thuj kismet nga java tjetër të lajmërojmë 2 dite përpara. Më kupton, se s’kam i her gjo në terezi o rroqo jam komplet out
Burim Ferizaj: Eh i thashë unë, e mora ne telefon, merre konfirmoje thashë unë, jo tha s’po e di emrin. Po mirë i thashë t’i merre konfirmoje, ai ktheu dje thashë unë, edhe pastaj mbrapa i shkrun emrin i thashë.
Ervis Ferizaj: Nejse kofirmoje, se s’ka njeri me ti pru dhurat o rr… thuj.
Burim Ferizaj: Ça ti them?
Ervis Ferizaj: S’ti bi njeri dhurat o p…. thuj, s’po i le njeri aty për ty.
Burim Ferizaj: Ça ti thush o rroqo… I rashë Samiut nuk u përgjigj, i rashe Eltonit s’kisha ca të bëja.
Ervis Ferizaj: Mir me mir ja ti çojm këto në Luzern edhe të hajn … pastaj. Me Marvin s’më bën as 3 të punoj. Edhe ai vlonjati thot ska problem, kudo që të jeni. Me Pirsin sdu me u ngatërru fare. Ti po e shiko vet ça lloj lëmshi bëjnë, na bëjn stres. Ne s’është se kemi ndonjë datë të sakt ose na i gjë të sigurt.
Sipas SPAK, në të gjitha bisedat konfirmohet i njëjti mekanizëm për qarkullimin e shumave monetare, si dhe konfirmohet mungesa e gjendjes cash e parave në Tiranë për Ervis Ferizajn. Në një bisedë të përgjuar më datë 1 maj 2020 konfirmohet edhe një element tjetër i rëndësishëm për këtë mënyrë të qarkullimit të parave. Ekzistenca e “zyrës” që ndodhet “sipër”. Në këtë bisedë Ervis Ferizaj dhe bashkëbiseduesi i tij me “zyrë” i referohen zyrës të bashkëpunëtorëve të Ferizaj dhe “sipër” i referohen vendit ku ndodhet zyra, që është vendodhja e tyre në Zvicër. Po kështu, në bisedën e datës 2 maj 2020 konfirmohet i njëjti mekanizëm i transferimit të parave, duke përmendur edhe faktin e transportit me avion. Në këtë bisedë konfirmohet fakti se Ervis Ferizaj përveç transferimit të parave në drejtimin Zvicër-Shqipëri, ai është në gjendje që të punojë edhe në drejtimin e kundërt, sipas porosive që merr në Shqipëri mund të mundësojë tërheqjen e parave në Zvicër, pasi ai ka gjendje monetare në Zvicër duke u shprehur se atje ka 2 milion euro.
Në një bisedë të përgjuar të datës 14 maj 2020, mes Ervis Ferizajt dhe një personi me emrin Arjan, del në pah edhe komisioni për trasfertën, që është 6 për qind.
Ervis Ferizaj: Kërkush s’do t’prishet me mu për gjona t’vogla, kupton e. Unë s’ja prish qefin për një milion vjet dhe i kam thon, që ky shoku është zene se jam unë, si me thon sa ç’më respekton mu, respekto dhe atë, si me thon se jemi mes shokësh
Arjani: Po po, mir vlla rrofsh
Ervis Ferizaj: Po për këtë e dija të sigurt se sa e pashë vet, tre ditë përpara, si me thën kur folëm bashkë, kisha dy ditë që e kisha taku un edhe e pash vet nga afër
Arjani: Po fiks, më tha mua është super fare…..
Ervis Ferizaj: Or vlla bomb, bomb o vlla, un s’kisha pa nonjiher të tillë, si me thënë diçka bomb. Si me thonë direkte kofiçienti përpjetë. Super, tashti t’i bim shkurt 23 minus 2500, janë t’parat.
Arjani: Po, po…
Ervis Ferizaj: Minus 13, minus 4800 edhe minus 300, ngelën 2.4. Minus 600 ngelen 2250.
Arjani: Po
Ervis Ferizaj: Dymijë e dyqin e pesdhjet plus pesdhjet e shtat nënqin e njizet që ka qen e kalumja, gjashtëdhjet njëqind e shtatëdhjet është e jona
Arjani: Okej u bë.
Ervis Ferizaj: Mir vlla, 60, 170 i majm ne bashkë shënimet e ke parasysh e kemi më rehat.
Arjani: Okej vllai im….
Ervis Ferizaj: Mir vlla…
Arjani: Mirë t’keqen…
Ervis Ferizaj: Në qoftë se do t’duhet nonji gjo ty kur t’vi un, m’thuj se e marr me vete…
Arjani: Po
Ervis Ferizaj: Si me thën shum s’kemi, po nonji gjo me u elenis, hehehe, se tashi vera ka shpenzime…..
Arjani: Mo ma vri mendjen fare….
Ervisi: Hajt mo se më 15 mi dhan fluturimet, pastaj s’kemi mo problem…
Në këtë bisedë Ervis Ferizaj ka bërë llogaritjet e shumave monetare me personin tjetër. Përveç skemës së transferimit të shumave monetare nga Ferizaj, konfirmohet edhe fakti se transferimi i shumave monetare nëpërmjet këtij mekanizmi kryhet kundrejt përfitimeve monetare, që në këtë rast ka qenë në masën 6% e shumës monetare që është transferuar. Nga hetimet e kryera dhe nga bisedat e mëtejshme provohet se shuma e përfitimit monetare që është marrë nga Ervis Ferizaj nuk ka qenë një shumë fikse, por kjo shumë për klientë të ndryshëm ka qënë e ndryshme.
CASH ZVICËR – KOSOVË – SHQIPËRI
Nga hetimet ka rezultuar se Ervis Ferizaj në funksion të realizimit të mekanizmit të transferimit të parave nga Zvicra në Shqipëri ka kryer edhe transport fizik të shumave monetare, të cilin dyshohet se e ka kryer në mënyrë të ndryshme. Një nga mënyrat e realizimit të transportit fizik të shumave monetare ishte edhe dërgimi i parave nga Zvicra në Kosovë nëpërmjet linjave ajrore dhe më pas transportimi i tyre në Shqipëri nëpërmjet transportit rrugor. Për realizimin e transportit të parave shtetasi Ervis Ferizaj ka bashkëpunuar me persona të ndryshëm, midis të cilëve edhe me Burim Ferizaj.
Në datën 4 korrik 2020 Burim Ferizaj ka udhëtuar me një automjet së bashku me shtetasen Rudina Binjaku në drejtim të Kosovës, nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitare Morinë dhe janë kthyer në Shqipëri të nesërmen. Më 5 korrik 2020, në Morinë është bërë kontroll i automjetit me targa AA860XA dhe kontroll i Burim Ferizaj dhe shtetases që e shoqëronte, në momentin që ata kanë hyrë në territorin shqiptar nga Kosova. Nga kontrolli i ushtruar ka rezultuar se personave të mësipërm u janë gjetur dhe sekuestruar një shumë prej 77,160 franga zvicerane.
Në lidhje me këtë episod, Ervis Ferizaj ka pasur biseda telefonike, duke shprehur shqetësim për ngjarjen e ndodhur, si dhe ka kryer veprime të tjera për të ndihmuar Burim Ferizaj në procedurën gjyqësore ndaj tij.
Ervis Ferizaj: Po xhaxh.
Xhaxhai: Kur kanë shkuar në Kosovë ata mor?
Ervis Ferizaj: Dje në darkët.
Xhaxhai: Kot apo kanë pas nonji punë?
Ervis Ferizaj: Kanë pas punë, ka pas me mor nji porosi dhe me u kthy.
Xhaxhai: A mir, mirë në rregull, se s’po më dalin në telefon asnjoni.
Ervis Ferizaj: Epo mir, hajd se munohem me u lidh unë pa merak, jo kanë shku që mbrom në dark ata, kanë fjet anej.
Sipas SPAK, në këtë bisedë, Ervis Ferizaj konfirmon faktin se Burim Ferizaj ka shkuar në Kosovë për “punë” dhe me qëllim që të marrin “një porosi”, që në të vërtetë kanë qenë puna për transportimin e shumës prej 77,160 franga zvicerane. Para këto të dërguara nga Zvicra për t’u përdorur nga Ervis Ferizaj për të transferuar para te persona të tjerë në funksion të mekanizimit jo formal të transfertave të parave që ai ka krijuar.
Ky episod, pavarësisht vlerës dhe sasisë së parave që janë sekuestruar, të cilat kanë qënë të llojit “franga zvicerane” dhe kanë origjinën e tyre nga Zvicra, përbën provë me vlerë të plotë provuese që vjen në përputhje me përgjimet telefonike të kryera ndaj Ervis Ferizajt dhe Burim Ferizajt. Nga kjo konfirmohet mekanizimi i transferimit të parave nëpërmjet sistemit Hawala nga Zvicra në Shqipëri, si dhe mekanizimi i transportit fizik të parave në drejtimin Zvicër-Kosovë-Shqipëri, sipas përmbajtjes së bisedave telefonike të kryera nga Ervis Ferizaj. Ai ka vijuar të kryejë aktivitetin e tij edhe pas këtij episodi, duke vijuar që të bashkëpunojë me Burim Ferizaj. Por, pas këtij episodi Ferizaj është treguar më i kujdesshëm në përdorimin e telefonit celular dhe bisedat e zhvilluara prej tij kanë qenë më të kufizuara, në krahasim me bisedat e mëparshme.
HETIMI ZVICËR – SHQIPËRI
Gjatë fazës së hetimeve paraprake është bashkëpunuar me autoritetet zvicerane të drejtësisë, fillimisht duke shkëmbyer informacione midis autoriteteve policore dhe fillimit të hetimeve paralele e më pas duke bashkëpunuar në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore, fillimisht me Prokurorinë e Kantonit Luzern, e më pas me Prokurorinë Publike të Konfederatës së Zvicrës.
Hetimet e kryera kanë treguar se Ervis Ferizaj në kryerjen e veprimtarisë së tij për transferimin dhe transportimin e parave ka bashkëpunuar me Arben Racajn. Ky i fundit është me shtetësi kosovare dhe së bashku me familjen e tij ai banon në Zvicër, në Kantonin Luzernë. Arben Racaj është pronar i vetëm i shoqërisë “Raci Travel”, themeluar në datën 15 maj 2023. Kjo shoqëri ka deklaruar si objekt të saj të veprimtarisë administrimin e një pike të këmbimit valutor, si dhe vepron si partnere shpërndarëse e Wester Union. Në datën 28 tetor 2022 kjo shoqëri tregtare ka hapur edhe një filial tjetër.
Gjatë hetimeve të përbashkëta me autoritetet zvicerane është zbuluar një skemë e organizuar për transferimin e parave të përfituara nga trafiku i drogës. Sipas provave, dhjetëra shpërndarës droge, kryesisht shtetas shqiptarë, depozitonin shuma të mëdha parash në këtë zyrë pa asnjë verifikim apo dokumentim, duke përdorur kode ose emra të caktuar për identifikimin e përfituesve në Shqipëri dhe Kosovë. Hetimet, përgjimet dhe vëzhgimet kanë treguar se Ervis Ferizaj bashkëpunonte ngushtë me Racaj dhe stafin e tij në këtë aktivitet, duke ndarë përqindje fitimi rreth 5–6% për çdo transfertë dhe duke siguruar kalimin e shpejtë të parave drejt destinacioneve përfundimtare. Në total, vetëm nga disa raste të dokumentuara, rezulton se janë depozituar mbi 1 milion franga të ardhura nga shitja e narkotikëve, ndërsa modeli i veprimit ishte i standardizuar dhe i njohur nga të gjithë të përfshirët, të cilët kishin dijeni për origjinën kriminale të fondeve.
Nga analiza e komunikimeve në aplikacionin Sky ECC rezulton se Ervis Ferizaj, ka organizuar në mënyrë të vazhdueshme transferimin e parave nga Zvicra drejt Shqipërisë, duke orientuar dërguesit për dorëzimin e shumave kryesisht në agjencinë “Raci Travel” në Luzern dhe duke konfirmuar më pas realizimin e tyre. Komunikimet tregojnë se ai ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me stafin e kësaj agjencie dhe se, në mungesë të tij, rolin e koordinimit e mbante Burim Ferizaj, i cili prezantohej si “nipi”. Po ashtu, nga të dhënat del se Përparim Kalbaj ishte bashkëpunëtori më i afërt i tij, me të cilin ka shkëmbyer mijëra mesazhe dhe ka bashkërenduar shpërndarjen e parave në Tiranë, grumbullimin e tyre nga qelizat e drogës në Zvicër, si dhe organizimin e trafikut të lëndëve narkotike. Kalbaj vepronte si vartës dhe ndërmjetës, duke përdorur kode si “Bujar” për dorëzimet, duke angazhuar korrierë dhe duke realizuar vetë transport të parave në rajon. Në tërësi, komunikimet provojnë ekzistencën e një rrjeti të strukturuar që funksiononte çdo ditë për transferimin dhe shpërndarjen e të ardhurave kriminale, me role të qarta dhe koordinim të vazhdueshëm mes palëve.
Nga analizimi i komunikimeve rezulton se Përparim Kalbaj, në koordinim të vazhdueshëm me Ervis Ferizaj, ka realizuar një seri të strukturuar dorëzimesh cash në Zvicër, kryesisht në zyrën e agjencisë “Raci Travel” në Luzern dhe alternativisht në adresën “Sportëeg 4” në Kriens. Vetëm nëpërmjet “Raci Travel” janë dokumentuar të paktën 10 depozitime gjatë periudhës korrik–dhjetor 2020, me shuma të konsiderueshme që në total arrijnë mbi 130 mijë franga, të dorëzuara zakonisht nga korrierë (“çunat”) dhe të konfirmuara menjëherë nga “zyra”. Paralelisht, një skemë e ngjashme është përdorur edhe në adresën “Sportëeg 4”, ku përmes një personi të identifikuar si “numri 4” (i dyshuar Sali Dauti) janë dorëzuar rreth 85,950 franga. Në të dyja rastet, dorëzimet kryheshin me kode, pa identifikim formal dhe me koordinim të saktë në kohë reale mes palëve, çka tregon një mekanizëm të mirëorganizuar për grumbullimin dhe kanalizimin e parave të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
TËRHEQJA NË KOSOVË – SHPËRNDARJA NË SHQIPËRI
Nga analiza e komunikimeve të zhvilluara nëpërmjet aplikacionit Sky ECC rezulton se shtetasi Përparim Kalbaj ka luajtur një rol kyç në tërheqjen dhe transportimin e shumave të konsiderueshme monetare nga Prishtina drejt Shqipërisë, në funksion të aktivitetit të koordinuar nga Ervis Ferizaj.
Sipas të dhënave hetimore, Kalbaj ka realizuar në mënyrë të përsëritur tërheqje cash tek shtetasi Shkëlzen Racaj, i njohur si “Xeni”, në Prishtinë. Paratë, të cilat më parë ishin grumbulluar në Zvicër përmes strukturave si “Raci Travel”, transferoheshin fizikisht drejt Kosovës dhe më pas në Shqipëri, duke shmangur kanalet bankare dhe duke ndjekur një skemë tipike informale të transferimit të vlerave.
Përfshirja e Kalbajt në këtë aktivitet intensifikohet pas arrestimit të Burim Ferizaj më 4 korrik 2020, moment pas të cilit ai duket se zëvendëson këtë të fundit në rolin e transportuesit të parave. Nga episodet e dokumentuara rezulton një aktivitet i dendur gjatë periudhës korrik–shtator 2020, me tërheqje që arrijnë në disa raste deri në 200 mijë franga për një episod të vetëm.
Në total, vetëm nga rastet ku shumat janë të specifikuara qartë, rezulton se Kalbaj ka tërhequr të paktën rreth 810 mijë franga, ndërsa për disa episode të tjera shumat mbeten të paidentifikuara. Tërheqjet kryheshin zakonisht në ambiente të lidhura me aeroportin e Prishtinës ose në pika të tjera të dakordësuara, ndërsa komunikimi shoqërohej me përdorimin e kodeve dhe identiteteve të rreme, ku Kalbaj prezantohej shpesh me emrin “Bujar”.
Në disa raste, kur ai nuk mund të udhëtonte vetë, përdorte transportues të tretë (si shoferë autobusi), të cilët paguheshin për të marrë dhe dorëzuar paratë, duke ruajtur të njëjtin model komunikimi me kode dhe pa verifikim formal.
Ky mekanizëm tregon një organizim të mirëfilltë logjistik për lëvizjen ndërkufitare të parave cash, me role të ndara qartë mes grumbulluesve, ndërmjetësve dhe transportuesve, si dhe me një disiplinë të lartë komunikimi për të minimizuar rrezikun e ekspozimit.
Përparim Kalbaj sipas SPAK rezulton se ka pasur një rol aktiv jo vetëm në tërheqjen dhe transportimin e parave, por edhe në shpërndarjen e tyre në territorin e Shqipërisë, në funksion të aktivitetit të koordinuar nga Ervis Ferizaj.
Në rastet kur Ervis Ferizaj nuk ndodhej fizikisht në Tiranë, ai delegonte shpërndarjen e shumave monetare tek persona të besuar, si Burim Ferizaj, Enver Ferizaj dhe, në mënyrë të përsëritur, tek Përparim Kalbaj. Ky i fundit shfaqet si një hallkë e rëndësishme në fazën finale të qarkullimit të parave, duke realizuar dorëzime direkte tek përfituesit në Shqipëri.
Një episod domethënës evidentohet në datën 21 korrik 2020, kur Kalbaj informon Ferizajn për paraqitjen e një personi që pretendonte lidhje me një individ të identifikuar si “Cerova”. Me konfirmimin e Ferizajt, këtij personi i dorëzohet shuma prej 18,800 franga, ndërkohë që ai kishte depozituar më parë 20,000 franga në Zvicër. Diferenca prej 1,200 frangash përfaqëson një komision prej rreth 6%, duke dëshmuar ekzistencën e një tarife fikse për këtë lloj transferimi informal parash.
Po në të njëjtën datë, një tjetër individ, i identifikuar përmes një kodi komunikimi dhe i referuar si “njeriu me mjekër”, paraqitet për të tërhequr shumën prej 100,000 franga. Ky person ishte orientuar drejtpërdrejt nga Ervis Ferizaj që të paraqitej tek pika “Exchange Kalbaj”, ku pagesa u realizua nga Përparim Kalbaj në orarin e dakordësuar.
Këto episode tregojnë qartë se Kalbaj operonte si shpërndarës në terren për llogari të rrjetit, duke kryer pagesa të konsiderueshme cash ndaj klientëve të identifikuar përmes kodeve apo referencave indirekte. Njëkohësisht, ato evidentojnë se struktura funksiononte mbi një bazë klientelare të përbashkët mes tij dhe Ervis Ferizaj, ku pikat e këmbimit valutor shërbenin si nyje operative për dorëzimin e parave. Në total, vetëm për datën 21 korrik 2020, provohet se Përparim Kalbaj ka shpërndarë një shumë prej 118,800 franga tek dy përfitues të ndryshëm, duke konfirmuar përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në fazën përfundimtare të këtij mekanizmi të organizuar të transferimit të parave cash.
RRJETI DHE KRIMI
Paratë nuk janë thjesht numra. Ato janë histori krimi. Në këtë rast trafik lëndësh narkotike.
Nga analiza e komunikimeve të datës 26 prill 2020 rezulton se shtetasi Ervis Ferizaj ka ushtruar një rol drejtues dhe organizues në një aktivitet të strukturuar të lidhur me tregtimin e lëndëve narkotike në Zvicër, aktivitet i cili zhvillohej paralelisht me skemën informale të transferimit të parave drejt Shqipërisë.
Bisedat tregojnë një organizim të detajuar të një dite pune, ku Ferizaj, në bashkëpunim të ngushtë me shtetasin Burim Ferizaj, ka planifikuar dhe koordinuar mbledhjen e parave cash nga disa persona të përfshirë në aktivitet. Në këtë kuadër, një rol qendror i është besuar shtetasit Faton Bunjaku, i cili shfaqet si personi i ngarkuar për të takuar individë të ndryshëm dhe për të mbledhur prej tyre të ardhurat monetare.
Nga komunikimet rezulton se lista e personave që duhej të takoheshin përfshinte individë të identifikuar me pseudonime si “Pello”, “Bake”, “Budallaqe”, “Noçja”, “Turi”, si dhe “çuni i dajes” ose “çuni i Papit”, me të cilin i referohen shtetasit Përparim Kalbaj. Këta persona duket se përfaqësojnë hallka të ndryshme të rrjetit të shpërndarjes së lëndëve narkotike, të cilët dorëzonin periodikisht fitimet e realizuara.
Ervis Ferizaj del qartë si koordinatori kryesor, i cili përcakton itinerarin, oraret dhe rendin e takimeve, duke udhëzuar Burim Ferizajn për çdo veprim konkret. Ky i fundit mban kontaktet operative në terren, ndërsa Faton Bunjaku kryen fizikisht mbledhjen e parave. Udhëzimet janë të detajuara, duke përfshirë nisjen në një orar të caktuar dhe njoftimin paraprak të secilit person përpara takimit, çka tregon një disiplinë të lartë organizative.
Nga përmbajtja e bisedave evidentohet qartë përdorimi i kodeve për të identifikuar shumat monetare. Shprehje si “25 është kodi” interpretohen si 25,000 franga, ndërsa përmendje të tjera si “9.6”, “3”, apo “6360” lidhen me shuma të ndryshme të parave të mbledhura. Kjo mënyrë komunikimi synon të shmangë identifikimin e drejtpërdrejtë të vlerave monetare dhe natyrës së aktivitetit.
Një element i rëndësishëm që del nga bisedat është diferencimi mes personave që janë pjesë e strukturës së Ferizajt dhe atyre që konsiderohen “klientë” të skemës së transferimit të parave. Në këtë kuadër, rasti i një personi të identifikuar si “Albi” trajtohet ndryshe nga të tjerët. Për këtë person shfaqet shqetësim nga ana e Ervis Ferizaj, pasi marrja e parave prej tij krijon detyrimin për t’ia kthyer ato në Tiranë, ndërkohë që ai deklaron se nuk ka likuiditet të mjaftueshëm në atë moment. Kjo tregon se “Albi” nuk është pjesë e rrjetit të shpërndarjes së drogës, por një përdorues i skemës së transferimit të parave.
Në të kundërt, për personat e tjerë nga të cilët mblidhen paratë nuk shfaqet asnjë shqetësim për kthimin e menjëhershëm të tyre, çka tregon se këto janë të ardhura që burojnë nga aktiviteti kriminal i organizuar dhe që kontrollohen drejtpërdrejt nga struktura e drejtuar nga Ervis Ferizaj. Gjithashtu, në biseda evidentohet edhe roli i Përparim Kalbajt, i cili përmendet si një nga burimet e këtyre të ardhurave (“çuni i dajes” / “Papi”), si dhe si bashkëpunëtor në fazat e transportimit dhe shpërndarjes së parave. Referencat ndaj tij konfirmojnë një lidhje të qëndrueshme dhe funksionale brenda këtij rrjeti. Në tërësi, këto komunikime dëshmojnë ekzistencën e një strukture të mirëorganizuar kriminale, ku aktiviteti i tregtimit të lëndëve narkotike në Zvicër gjeneron të ardhura që më pas mblidhen në mënyrë të centralizuar dhe integrohen në skemën e transferimit informal të parave drejt Shqipërisë, duke krijuar një cikël të mbyllur financiar dhe operacional.
PASURITË E SEKUESTRUARA
SPAK ka arritur në përfundimin se në rastin konkret, sistemi informal i transferimit të parave nga Zvicra në Shqipëri është krijuar, është organizuar dhe është vënë në funksionimi nga Ervis Ferizaj, i cili ka vepruar si agjent i funksionimit të këtij mekanizmi në Shqipëri, si dhe nga shtetasi kosovar Arben Racaj, i cili ka vepruar si agjent i funksionimit të këtij mekanizimi në Zvicër.
Prokuroria e Posaçme
Krijimi, organizimi, vënia në funksionim dhe realizimi i këtij mekanizimi informal të transferimit të parave, i cili ka funksionuar nga viti 2020 dhe në vazhdim për një periudhë disa vjeçare, tregon se kemi të bëjnë me një marrëveshje bashkëpunimi në formën e një plani kriminal të shtrirë në kohë dhe nuk jemi para një marrëveshje të thjeshtë apo të castit, karakteristike për formën e thjeshtë të bashkëpunimit. Nëpërmjet këtij mekanizmi informal të transferimit të parave është bërë e mundur që të transferohen nga Zvicra në Shqipëri shuma monetare të konsiderueshme, të cilat kanë burimin dhe origjinën e tyre nga aktiviteti i kundraligjshëm i tregtimit të lëndëve narkotike. Këto veprime janë kryer në mënyrë të vazhdueshme, të shtrira në kohë dhe për një periudhë disa vjeçare, të cilat tregojnë se kemi të bëjmë me një veprimtari kriminale të shtrirë në kohë dhe një formë bashkëpunimi të qëndrueshëm në kohë. Qëllimi për realizimin e kësaj veprimtarie ka qënë nxjerrja e përfitimeve materiale nga realizimi i sistemit informal të transferimit të parave, fitim i cili është provuar se ka qënë në masën 6% e shumës së parave që janë transferuar, masë fitimi kjo e cila ndahej në mënyrë të barabartë midis shtetasve Ervis Ferizaj dhe Arben Racaj.
Sipas SPAK çmohet se ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” ndaj pasurive të paluajtshme, të cilat janë në zotërim të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë të personave nën hetim, pasuri të cilat mundet të konfiskohen në përfundim të gjykimit. Gjatë fazës së hetimeve paraprake janë kryer verifikimet pasurore për pasuritë në zotërim të personave nën hetim, si dhe të personave të tyre të afërm, duke u administruar edhe dokumentacioni përkatës.
Nga hetimet rezulton se shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, e regjistruar në vitin 2021 në emër të Enver dhe Erjona Ferizaj, por e zotëruar në mënyrë faktike nga Ervis Ferizaj, është përdorur si mbulim për aktivitet të paligjshëm financiar. Konkretisht, zyrat e saj në Tiranë dyshohet se kanë shërbyer si pika për shpërndarjen e parave që vinin nga Zvicra përmes një sistemi informal transferimi Hawala, duke lehtësuar kështu pastrimin e produkteve të veprës penale.
Po ashtu, para krijimit të kësaj shoqërie, shtetasi Ervis Ferizaj ka përdorur ambientet e biznesit “Premium Bar Lounge” si vend për dorëzimin e shumave monetare të transferuara. Ndërkohë, ai ka blerë edhe një njësi tregtare në Tiranë me vlerë rreth 200,000 euro, e cila dyshohet se është përdorur për takime dhe transaksione të lidhura me aktivitetin kriminal, si dhe mund të jetë përfituar nga të ardhura të paligjshme.
Gjithashtu, është identifikuar një vilë dy-katëshe në Lalëz, në pronësi të bashkëshortes së tij, Erjona Ferizaj, e cila konsiderohet pasuri e përbashkët dhe dyshohet se është e pajustifikuar nga burime të ligjshme, duke u konsideruar si produkt i mundshëm i veprimtarisë kriminale.
Në tërësi, këto pasuri dyshohet se janë përdorur për realizimin e veprës penale të pastrimit të parave ose janë krijuar si rezultat i saj, dhe për këtë arsye janë objekt i masave të sekuestrimit.
Tashmë këto prona janë nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, deri në një vendim të formës së prerë të Gjykatës.
Dosja “Ferizaj”, duket se është rasti më tipik i pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti i jashtëligjshëm, por njëkohësisht edhe një rast konkret që shpjegon se si funksionon transferimi i parave përmes sistemit Hawala. Sistem që mund të jetë përdorur edhe në dhjetëra e qindra raste të tjera.
Në një botë ku çdo transfertë duhet të lërë gjurmë ekziston ende një sistem që nuk lë asgjë pas. Dhe ndërsa institucionet përpiqen ta ndalojnë paratë vazhdojnë të lëvizin. Në heshtje.
Nuk ka dokumente që provojnë këto transferta. Nuk ka banka që i regjistrojnë.
Nuk ka sisteme që i ndjekin. Dhe pikërisht për këtë arsye ato janë kaq të rrezikshme.
Sepse çdo shumë që kalon në këtë mënyrë është një shumë që i shpëton ligjit.
Një shumë që mund të vijë nga droga, nga trafiku, nga krimi.
Sistemi financiar është ndërtuar mbi një parim të thjeshtë. Transparencën.
Por Hawala funksionon mbi të kundërtën. Mbi besimin e verbër dhe mbi heshtjen.
Teksa institucionet kërkojnë të ndjekin rrjedhën e parasë, ky sistem e zhduk atë.
E shpërndan, e fsheh, e bën të padukshme.
Problemi nuk është nëse ky sistem ekziston. Problemi është sa i madh është ai?
Dhe a është vërtet jashtë kontrollit?
Sepse në fund, kur paratë nuk lënë gjurmë, as krimi nuk ndalet.


