“Gjërat tona”, deri ku zgjaten fijet e krimit, që priten me kamerat e sigurisë

schedule18:41 - 18 Shkurt, 2023

schedule 18:41 - 18 Shkurt, 2023

Një kamera sigurie konsiderohet si armë e fortë për të zbardhur një krim. Numërohen dhjetëra ngjarje të rënda që janë zbuluar përmes një apo disa kamerave.

Por aq sa janë efektive për Policinë, po aq janë edhe për vetë krimin. Një nga pikëpyetjet se përse grupe të fuqishme kriminale ishin një hap para Policisë duket se ka marrë përgjigje.

Një kamera me rezolucion të lartë, e vendosur në qendër të qytetit të Shkodrës, për vite me radhë ka qenë syri i krimit. Ka monitoruar lëvizjet e rivalëve, por edhe lëvizje e Policisë. Tashmë kjo kamera, që ishte vendosur në këtë vend është hequr. Por për shumë vite bëri që dhjetëra krime të mos dokumentoheshin dhe dhjetëra të kërkuar të mos arrestoheshin.

Kur drejtuesi i Policisë u interesua se kujt i përkiste, në fillim i thanë se mund të ishte e Bashkisë. Por ky version ra poshtë shumë shpejt. Më pas të gjithë ngritën supet. Në fakt të gjithë e dinin për shumë kohë, por askush nuk e kishte marrë mundimin t’i hiqte.

Gjithmonë ndodhte që kur Policia shkonte në një adresë ku kishte informacion, autorët ishin larguar në drejtim të paditur.   Kjo kamera e vendosur në mes të qytetit, shërbeu për nisjen e aksionit të madh, që u ideua nga drejtori i Policisë së Shkodrës Ervin Hodaj. Kamerat ishin vendosur në Dobraç, në 3 vende. Në lagjen Rus dhe të shkolla “Skënderbeg”, që njihen si zona të familjes Bajri.

Në Bypass, në mes të rrethrrotullimit, në lagjen Kiras, në Zdrale dhe në Guerrile, që njihen si zona të familjes Lici. Te ish-zooteknika që njihej si zona e Asmer Bilalit dhe në Qafë-Hardhi, që dikur njihej si zona e të fortit të Shkodrës, Edmir Koçia.

Më 13 janar, në lagjen Dobraç të Shkodrës ndodhi një shpërthim i fuqishëm eksplozivi. Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, para derës së shtëpisë së shefit të Krimeve të Shkodrës, Pëllumb Shpati.

Ai vetë tha se nuk kishte konflikte me askënd, ndërsa i ati e lidhi ngjarjen me detyrën e tij si shef krimesh. Në një zonë si Dobraçi, rrethuar nga çdo kënd me kamera sigurie, supozohej që Policia ta kishte më të thjeshtë zbardhjen e ngjarjes.

Në fakt ndodhi e kundërta. Oficerët e Policisë u përballën me refuzimin për të bashkëpunuar dhe ndihmuar. Pronarët e këtyre kamerave nuk pranuan t’u dorëzonin filmimet.

Babai i shefit të krimeve: “Rreth orës 4 kam qenë në gjumë. Dëgjova krismën dhe dola e pashë vendin të shkatërruar. Në shtëpi kemi qenë 17 vetë, nga kati i parë deri në katin e tretë. Tri familje. Ishte shpërthim i fuqishëm, ka shkatërruar shumë. Kemi dëme në dritare, dyer, në fasada, në automjete. Për shkak të detyrës ka ndodhur se ne nuk kemi ngatërresa me askënd”.

Fshati Dobraç njihet si zona e Bajrave. Prej vitesh kjo zonë monitorohej nga kamera të shumta sigurie. Kjo për shkak të hasmërive e përplasjeve të krijuara ndër vite, kryesisht me banorët e lagjes Kiras, rivalëve të tyre. Përplasje që ka shkaktuar dhjetëra të vrarë gjatë viteve të fundit.

Më së shumti kjo ka qenë arsyeja e vendosjes së kamerave në Dobraç, ashtu sikurse në Kiras. Atje shtëpitë janë të rrethuara me mure shumë të larta, për të shmangur ndonjë sulm me snajper. E megjithatë, siç ndodh shpesh, një rrugë mund të shërbejë për dy punë, madje edhe më shumë.

Kamerat siç mund të monitorojnë zonën, për t’u mbrojtur nga rivalët, mund të monitorojnë edhe lëvizjet e forcave të rendit. E megjithatë, në vitin 2018, kur më 5 shtator Policia kreu aksionin e madh në Dobraç e Kiras, nuk u shkul e nuk u sekuestrua asnjë kamera sigurie.

Policia gjeti shumë armë e municion pa leje, por kamerat i la ashtu siç i gjeti edhe pse në fakt ishin në paligjshmëri. I njëjti ligj që është sot në fuqi, ishte edhe në atë kohë, por mesa duket mungonte vullneti. Vullnet që mungoi për më shumë se 6 vite, që kur Kuvendi miratoi ligjin për masat shtesë të sigurisë, në shtator të vitit 2016.

Çfarë parashikon ligji që u propozua nga Saimir Tahiri në vitin 2016, diskutimet dhe polemikat, derisa në fund u miratua?  Pse Policia nuk veproi për më shumë se 6 vjet?

Më 9 shkurt të vitit 2017 u grabitën rreth 3 milionë euro që po transportoheshin në Rinas nga dy mjete të blinduara. Pas kësaj ngjarjeje, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri  urdhëroi zhvillimin e inspektimeve për verifikimin e masave të sigurisë. Në fund propozoi edhe një projektligj me masa shtesë sigurie, për të cilin pati polemika dhe për shumë kohë u kundërshtua nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

U negociua për 6 muaj me radhë me LSI-në që ky ligj të miratohej. Më pas u kthye nga ish-presidenti Bujar Nishani dhe u rinegociua me LSI, derisa u miratua, 3 muaj para se Tahiri të largohej nga detyra.

Pra, nga mesi i shatorit të vitit 2016 e deri në mesin e janarit të këtij viti, Ligji për sigurinë publikë është shkelur. Minimalisht, gjatë këtyre viteve, Policia duhej të kishte zbatuar Nenin 15, të këtij ligji, që parashikon së paku verifikimin dhe identifikimin e ketyre kamerave.

Neni 15

Inspektimi

  1. Policia e Shtetit kryen inspektime periodike për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë, të përcaktuara në këtë ligj.
  2. Rregullat për kryerjen e inspektimeve për monitorimin e përmbushjes së masave shtesë të sigurisë nga Policia e Shtetit, sipas pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

Nëse do të ishin kryer inspektimet periodike, në zbatim të ligjit, kamerat e sigurisë, që nuk identifikohej pronari, do ishin zbuluar me kohë e rrjedhimisht do të ishin hequr.

Por për më shumë se 6 vite, askush nuk ka kryer asnjë veprim. Në këtë formë u lejua paligjshmëria e për rrjedhojë u lejua krimi që të kishte nën kontroll territorin dhe jo Policia.

“Qëllimi i këtij ligji është krijimi i kushteve ligjore për sigurimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe subjekteve publike e private, veprimtaria e të cilave përbën burim rreziku të shtuar për sigurinë, me synim zbulimin, parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie kriminale, në mbrojtje të pronës, jetës dhe garantimin e sigurisë publike”, thuhet në nenin 1 të ligjit.

Sa kamera janë hequr deri në këtë fazë dhe cili është vendi që kishte më shumë? Kush janë personazhet e botës së krimit që i kishin vendosur?

 Në kuadër të planit operacional të koduar “Fijet”, janë çmontuar në total, 528 kamera, si dhe janë iniciuar hetimet e thelluara për 109 persona. Pjesa më e madhe, konkretisht 220 kamera, ishin të vendosura në Tiranë.

Gjatë aksionit ranë më sy disa emra të botës së krimit. Ata kishin vendosur kamera jo vetëm për sigurimin e shtëpive të tyre, por edhe në rrugë.

Të tillë ishin, Emiljano Shullazi, Pajtim Serjani, Gjergj Cukali, Elidon Kotorri, vëllezërit Leonard e Erlis Duka, apo edhe Ervis Martinajt në Tiranë, si dhe Lulzim Berisha dhe Plaurent Dervishaj e të tjerë në Durrës.

Në kuadër të plani operacional të koduar “Fijet”, janë çmontuar në total, 528 kamera, si dhe janë iniciuar hetimet e thelluara për 109 shtetas, prej tyre:

  • 220 kamera janë çmontuar në Tiranë, 44 shtetas në hetim;
  • 37 kamera janë çmontuar në Elbasan, 10 shtetas në hetim;
  • 89 kamera janë çmontuar në Shkodër dhe kanë nisur 5 referime në Prokurori;
  • 9 kamera janë çmontuar në Lezhë dhe janë iniciuar hetimet për 1 shtetase;
  • 54 kamera janë çmontuar në Durrës, 11 shtetas në hetim;
  • 26 kamera janë çmontuar në Vlorë; 4 shtetas të proceduar dhe kanë nisur 3 referime në Prokurori;
  • 61 kamera janë çmontuar në Korçë, 24 shtetas në hetim;
  • 23 kamera janë çmontuar në Fier, 7 shtetas në hetim;
  • 3 kamera janë çmontuar në Gjirokastër, 1 shtetas në hetim;
  • 6 kamera janë çmontuar në Dibër, 4 shtetas në hetim.

 

Ndonëse konsideroheshi të fuqishëm apo edhe të paprekshëm, shumë personazhe të botës së krimit, sot janë “zhveshur” nga Policia. U është hequr nga dora një armë mjaft e fortë, ajo e vëzhgimit.

Megjithatë asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. Kamerat mund t’i kenë përdorur për qëllime kriminale, por në pamundësi për t’ua provuar këtë, rrezikojnë dënime simbolike. Deri tani akuza e vetme që rëndon mbi ta është ajo e ndërhyrjes së padrejta në jetën private. E për këtë mund të dënohen me gjobë e maksimumi me 2 vjet burg.

Kodi Penal

Neni 121

Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si  dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me  burgim gjer në dy vjet.

E këtë thotë edhe juristi, Jordan Daci. Problemi më i madh nuk është me kamerat që ne shohim përditë, që janë në rrugë dhe që nuk u del njeri për zot. Grupe të strukturuara kriminale apo individë të cilët kanë interesa të paligjshme, kanë vendosur kamera në subjekte private, për të cilat vetë këto subjekte nuk kanë asnjë lloj kontrolli.

Madje nuk i kanë përdorur asnjëherë. Ata janë shfrytëzuar kundrejt pagesave të ndryshme nga persona të botës së krimit. Sipas juristit Jordan Daci, ky është shqetësimi që Policia duhet të hetojë.

“Jam i sigurt që numëri i kamerave si këto, do të ishte me mijëra. Ka thashetheme që ne i dëgjojmë edhe për shkak të profesionit që ka rrugë të tëra që janë të mbikëqyrura për gjatësi kilometrike, pikërisht duke shfrytëzuar këto lloj skemash”, thotë Daci.

Ndonëse deri tani janë hequr 528 kamera të paligjshme në të gjithë territorin, Policia nuk ka gjetur asnjë server të tyre. Deri tani janë zgjidhur vetëm fijet e krimit, por se ku shkon zgjatimi i këtyre fijeve duket se do jetë e vështirë për ta provuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!