Gjendet një makinë e djegur në Lezhë/ Dyshohet se u përdor në atentatin ku mbeti i vrarë Nikolin Lekstakaj, brenda edhe arma

schedule17:43 - 20 Korrik, 2023

schedule 17:43 - 20 Korrik, 2023

Mbrëmjen e djeshme në fshatin Balldren të Lezhës u vra me armë zjarri shtetasi Nikolin Marku (Lesktakaj).

Viktima ishte duke dalë nga marketi, kur u qëllua për vdekje nga një makinë në lëvizje.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raporton se ditën e sotme është gjetur një makinë tip “Benz” e djegur në Gjadër.

LEXO EDHE: Vrasja e Nikulaj, nis hakmarrja/ Viktima në Lezhë i afërt me organizatorin Haxhia. Autorët nuk lanë asnjë provë në vendngjarje

Dyshohet se automjeti i cili rezulton i vjedhur në shtator të vitit 2022 në Dimal të Beratit është pikërisht ai që u përdor për vrasjen e djeshme, brenda makinës është gjetur edhe një armë kallashnikov.

Pista e vetme deri më tani është ajo e hakmarrjes, pasi fisi Lekstakaj prej gati 3 dekadash është në hasmëri me fisin Nikulaj.

Kujtojmë që rreth 3 muaj më parë u ekzekutua në ambientet e biznesit të tij, Ardian Nikulaj.

Për ekzekutimin e Nikulajt u arrestua në Britaninë e Madhe, Edmond Haxhia, ky i fundit ka lidhj e familjare me 42-vjeçarin e vrarë ditën e djeshme.

ABC News mëson se babai i viktimës Nikolin Lekstakaj, me babain e Edmond Haxhisë, janë djem xhaxhallarësh. Pra, kushërinj të dytë. Ndërsa Edmond Haxhia është nip në fisin e Lekstakajve.

Njoftimi i policisë:

Lezhë/Informacion shtesë në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 19.07.2023, në Balldre të Lezhës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi N.M.(L).

Në vijim të kontrolleve të kryera nga shërbimet policore në të gjithë territorin e rrethit të Lezhës me qëllim gjetjen dhe kapjen e autorëve, në fshatin Gjadër të njësisë administrative Dajç,në një parcelë arë, nga shërbimet e policisë, është gjetur i djegur plotësisht një automjet tip Benz, i cili në shtator të vitit 2022, është denoncuar i vjedhur në Dimal të rrethit Berat.

Nga kqyrja e automjetit, në brendësi të tij, janë gjetur një armë zjarri automatik dhe disa gëzhoja, të gjitha të djegura plotësisht. Arma e zjarrit e gjetur dyshohet të jetë arma që është përdorur për vrasjen e shtetasit N.M.(L). U bë sekuestrimi i tyre në cilësinë e provës materiale për tu dërguar për ekspertime.

Nën drejtimin e prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore procedurale të thelluara, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Si nisi konflikti mes fiseve?

Konflikti mes dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj ka nisur që në vitin 1996, në një karburant në dalje të qytetit të Lezhës për një shumë prej 10 mijë lekësh të vjetra.

Në atë kohë, vëllai i biznesmenit Ardian Nikulaj bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburant dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën aty. Pas furnizimit, shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën e karburantit.

Pas debatit ata janë larguar dhe njëri prej tyre ishte rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të karburantit. Një prej viktimave ishte edhe vëllai i Ardian Nikulaj.

Pak muaj pas kësaj ngjarje u vranë Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja, ky i fundit nip i familjes.

Gjakmarrja vijoi edhe në vitin 1999 me vrasjen e Gjovalin Lekstakajt dhe u plagos i afërmi i tij, Pjetër Lekstakaj.

Këto ngjarje vijojnë të jenë të pazbardhura nga drejtësia shqiptare. r.t/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!