Gjendet i djegur automjeti me dy kallashnikovë brenda, dyshohet e autorëve në “Don Bosko”

schedule09:12 - 13 Mars, 2023

schedule 09:12 - 13 Mars, 2023

Një automjet tip “BMW” është gjetur i djegur në zonën e Bubqit. Brenda automjetit totalisht të shkrumbuar, janë gjetur dy armë zjarri të llojit kallashnikov.

Dyshohet se mjeti dhe armët janë përdorur në ngjarjen në një lokal në “Don Bosko”.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së dielës, në orën 21:05, ku u vra banakierja Mimoza Paja dhe mbetën të plagosur edhe 6 persona, mes tyre edhe një e mitur 10-vjeçare. Të plagosur mbetën Sahit Murati, Astrit Meraj, Emanuele Sala, Ermir Bejçuku dhe Genc Shohalli.

Për kapjen e autorëve, janë ngritur pika kontrolli edhe në Durrës, Elbasan, Lezhë e Dibër. Lokali ku ndodhi ngjarja, rezulton në pronësi të Fatjon Muratajt, i cili është një emër i njohur në botën e krimit.

Këtij të fundit, gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest shtëpiak”, por mbrëmjen e djeshme, ai nuk është gjendur në banesë nga forcat e policisë. Efektivët po kryejnë verifikimet nëse ka shkuar në spital. Pak muaj më parë është ndaluar nga policia, ku ishte me Indrit Doklen në makinë dhe më pas gjykata i ka caktuar masën e sigurisë.

Murataj ishte shpallur në kërkim nga policia, ndërsa emri i tij ka dalë edhe në masakrën e Fushë-Krujës me tre të vrarë dhe ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!